Ministria e Ekonomisë ka lansuar të martën thirrjen publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë dhe Ndërmarrjeve të Mesme dhe të Vogla për investimin në sisteme të energjisë së ripërtëritshme.
Në lidhje me këtë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se do të ulet barra për sistemin energjetik, por edhe do të fuqizohen familjet e bizneset për të bërë zgjidhje të qëndrueshme.
“Me skemën që po e lansojmë sot, familjet mund të aplikojnë për mbështetje për sisteme diellore me kapacitet prej 3 deri në 7 KW, ku do të subvencionohen me 250 euro për KW, deri në 1 mijë e 750 euro në total. Edhe për ndërmarrjet të vogla dhe të mesme vlera e subvencionimit do të jetë 250 euro në KW me kapacitet prej 3 deri në 9 KW, maksimalisht deri në 2 mijë euro”, tha Kurti.
Më tej, ai tha se për kapacitet prej 10 KW e më shumë, bizneset do të subvencionohen me 200 euro për KW deri në 600 euro në total.
“Për instalimin e sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, që nga mesi i këtij muaji, bizneset do të mund të subvencionohen 40% të vlerës deri në 4 mijë euro. Për këto dy masa, bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave, mbi 51% do të subvencionohen me 200 euro shtesë”, tha Kurti.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se në javët e saj të para si ministre, kërkesat më të shpeshta ishin të lidhura me shitjen e energjisë së ripërtërishme.
“Vendosja e sistemeve solare nga konsumatorët do jetë zgjidhje më e lehtë për përdorim në biznes, me përfitime të shumta, si ulja e ndotjes, ulja e faturave të energjisë”, deklaroi ajo.
“Aspekt tjetër është që krizën e dimrit 2021-2022, kemi lehtësuar atë me pako prej 75 milionë euro nga BE-ja, me qëllim të ndikimit të shpejtë tek qytetarët, në veçanti te nënat vetushqyese, bizneset etj”, shtoi ajo.
Ajo tha se këto skema të ndara kanë ndikuar në zbritjen e faturave nga përfituesit e skemave për ngrohje, me mbi 25 mijë aplikime, duke u investuar mbi 7 mijë euro.
Rizvanolli tha se për këto shërbime kanë aplikuar 17 kompani vendore, të cilat i ofrojnë shërbimet që do të jepen nga sot.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila tha se lansimi i këtyre masave përmes mbështetjes qeveritare dhe asaj ndërkombëtare është në të mirë të bizneseve, duke u bërë thirrje që t’i shfrytëzojnë këto mundësi./EO