Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë interpelancës ku po diskutohet për çështjen “masat urgjente”, në raport me situatën e krijuar në vend, teksa ka folur për vendimin e çështjes së targave, ka thënë se brenda 48 orëve, është përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ai që e ka ndryshuar deklaratën dhe jo vetë Kurti – qëndrimin.
Kurti ka thënë se janë dy arsye, për të cilat, nuk ka pranuar që të shtyhet zbatimi i vendimit për targat.
Njëra ka të bëjë me mosinformimin e serbëve, gjë që për të, nuk është e vërtetë dhe tjetra me efikasitetin e Kosovës që sërish për kreun e qeverisë nuk qëndron.
“Brenda 48 orëve ka ndërruar komplet deklarata e Josep Borrellit. Të hënën dhe të enjten, janë 2 deklarata krejtësisht të ndryshme të tij. Në ato 48 orë, Borrelli e ka ndryshuar deklaratën, jo unë qëndrimin. Deklarata e Borrellit në mbrëmjen e së enjtes është pakrahasimisht më e mirë sesa ajo e së hënës”.
“Nuk kam qenë dakord me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, sepse kur thuhej pse duhet të bëhet shtyrja për 10 apo 12 muaj është përmendur mosinformimi i serbëve, gjë që s’është e vërtetë. Thanë se duhet të shtyhet për shkak të efikasitetit të Kosovës. Shteti i Kosovës nuk e dinë nëse është i aftë që mijëra vetura me targa KM, PR e të tjera t’i konvertojë shpejt. As kjo nuk është e vërtetë. Veturat i transformonin targat shumë shpejt, problemi është se shumë shpejt ato digjeshin”, shtoi Kurti.
Sipas tij, theksi duhet të jetë te ata që i digjnin veturat e jo te efikasiteti i shtetit të Kosovës.
Shtyrjen e vendimit për 10 apo 12 muaj, për Kurtin nuk do të ishte dorëzim i tij si kryeministër, por pranim që shteti i Kosovës ka dështuar.
“Po të thosha unë po shtyrje 10 muaj, nuk do të ishte dorëzim i imi si kryeministër, por do të ishte pranim që shteti i Kosovës ka dështuar e unë këtë nuk mund ta pranoj, sepse shteti i Kosovës i konverton shpejt targat dhe unë këtë nuk mund ta pranoj”, ka thënë ai.
Kreu i qeverisë është shprehur i gatshëm që të diskutojnë për dialogun.
“Sa herë të doni të diskutojmë për dialogun, jam i gatshëm. Edhe unë jam i interesuar të dialogojmë për temat e tjera, jo për dialogun me Serbinë, por kjo varet edhe nga ju për çfarë i thirrni interpelancat me kryeministrin dhe debatet parlamentare”.