Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga deputetët e partive opozitare që ta bëjnë ndarjen e qartë të gjërave, të cilat sipas tij, nuk janë të njëjta.
Teksa është shprehur i gatshëm që të vazhdojë procesi i konsultimeve midis pushtetit dhe krerëve të partive opozitare lidhur me çështjen e Vettingut, ai ka theksuar se Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, dhe Vettingu në Drejtësi, nuk janë e njëjta gjë.
“E falënderoj LDK dhe AAK për takimet që kemi pasur për çështjen e Vettingut në sistemin e drejtësisë. LDK ka thënë që takohemi në kuvend, nuk kemi nevojë që të takohemi si subjekte politike, unë mendoj që është e nevojshme që të takohemi si subjekte politike. Jam i gatshëm që të vazhdoj ky proces i konsultimeve me të gjitha partitë poolitike jo vetëm për shkak se nevojiten ndryshimet kushtetuese, por për shkak se bëhet fjalë për një proces me shumë vendime që tejkalon mandatin tonë, mbase edhe mandatin pas mandatit tonë”, ka thënë ai.
“Nuk është mirë që të fusim gjithçka në një thes kur nuk e kanë vendin aty. Duke e ditur se procesi i vettingut merr kohë, i vetmi efekt është që të shtyhet Byroja shtetërore, dhe ky është gabim. Vettingu në drejtësi dhe Byroja shtetërore janë dy gjëra të ndryshme, mos i fusni në një thes sepse nuk janë bashkë, nuk janë të njëjta”, ka shtuar Kurti.
Ai ka potencuar se njëra ka të bëjë me të gjithë zyrtarët shtetërorë, ndërsa tjetra vetëm me sistemin e drejtësisë.