Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut ka deklaruar se përgjigja institucionale ndaj krimeve mizore e trajtimeve çnjerëzore ndaj gruas duhet të jetë e pandalshme.
Sipas kryeministrit Kurti, kjo luftë e gruas për mbijetesë brenda mureve të shtëpisë është “luftë e shoqërisë, luftë e shtetit në përkrahje të grave dhe të vajzave dhe ne duhet të ua dëshmojmë përditë se ato nuk janë vetëm”.
“Prokuroria pasive dhe gjyqësori joefikas janë ndër shkaqet kryesore të këtij realiteti ku vrasja e grave është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë. Sistemi i padrejtësisë që reagon me shpejtësi e efikasitet kur bëhet fjalë për përfitimin e tyre individual, nuk i shërben këtij shteti dhe kësaj shoqërie”, ka thënë Kurti.
“Mungesa e profesionalizmit që shpërfaqet në vendime të anuara e të motivuara, vonesa të paarsyetuara për shkak të mungesës së mekanizmave të llogaridhënies, politizim i sistemit gjyqësor që u bë haptazi nga qeveritë e kaluara, prodhojnë viktima; prodhojnë dhunues; prodhojnë abuzues; dhe përçojnë mesazhin se gjithçka tjetër, përfshirë vënien e drejtësisë, vjen në trajtim pas ngopjes dhe përmbushjes së interesave personale”.
Kryeministri Kurti në fjalimin e tij ka theksuar se vrasja e dyfishtë e mbrëmjes së 30 nëntorit e ka goditur tërë shoqërinë tonë dhe e ka tronditur mbarë popullin tonë.
E njëjta ka pasuar vrasjen e një gruaje tjetër nga burri i saj, në shtëpinë e saj para një jave. “Derisa ne bëjmë përpjekje për të vetëdijësuar shoqërinë mbi rëndësinë e barazisë gjinore e respektimit të gruas, jemi dëshmitarë të një realiteti që mbetet i shurdhër ndaj thirrjeve, nismave, veprimeve e përpjekjeve tona. Përpjekjeve të cilat i shtyjmë nga dita e ardhjes në Qeveri e të cilat kanë munguar gjatë, shumë gjatë’.
“Me vite të tëra shoqëria jonë e mban dhunën në familje si çështje private, kurse abuzimin ndaj partnerit si çështje dënimi. Ndryshimi është i mundur, përgjigja institucionale ndaj këtyre krimeve mizore e trajtimeve çnjerëzore ndaj gruas duhet të jetë e pandalshme, por inicialisht ky ndryshim duhet të fillojë nga vetë ne, nga secili prej nesh. Kjo luftë e gruas për mbijetesë brenda mureve të shtëpisë është luftë e shoqërisë, luftë e shtetit në përkrahje të grave dhe të vajzave dhe ne duhet të ua dëshmojmë përditë se ato nuk janë vetëm!”, ka potencuar Kurti.
Kurti ka shtuar se në luftën e fundit në Kosovë, gratë kanë vuajtur më shumë se burrat. ‘Kontributi dhe sakrifica e grave në luftën çlirimtare çmohet pak e njihet edhe më pak. Mijëra gra të përdhunuara e kanë hall jo vetëm mungesën e drejtësisë nga e djeshmja por edhe praninë e stigmatizimit në të sotmen. Ndërkaq, burrat zakonisht nuk po e kanë kurajon të ballafaqohen me pafuqinë e dikurshme për të mbrojtur gratë dhe shpesh as të vlerësojnë sukseset e mëdha kudo të grave sot. Gratë të cilat kanë hequr më së shumti para një çerek shekulli, sot i kanë sukseset ma të mëdha”.
Kurti ka thënë se çlirimi kombëtar nga lufta e fundit nuk e ka sjellur edhe çlirimin e grave në shoqëri.
“Këtë po na e dëftojnë gratë përditë me betejat e tyre për barazi gjinore e të cilat po zhvillohen kryesisht në sferën private. Nëpër familje përditë rrihen gra e jo rrallë edhe vriten. Gruaja bëhet dëshmi e rezistencës së paepur dhe luftëtare e luftës për barazi. Gratë duhet ndihmuar e përkrahur nga gratë dhe nga burrat në këtë luftë që po e emancipon gjithë shoqërinë tonë. Kjo betejë nuk është shumë më e lehtë sesa ajo e para një çerek shekulli. Jo vetëm për shkak se kësaj radhe NATO-ja nuk do të intervenojë”.
“Forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe nuk i kanë kursyer gratë shqiptare shtatzëna. Përkundrazi. Aty kanë konsideruar që po i vrasin dy veta me një goditje. Dhe, sidomos që po vrasin të ardhmen tonë duke qëlluar e therrur foshnjet në bark të nënave. Vrasja e grave shtatzëna gjatë viteve 1998-1999 është ndër dëshmitë kryesore të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Më falni por mua kjo m’u kujtua parmbrëmë kur dëgjova lajmin e vrasjes së Hamide Magashit”.
Kurti ka shtuar se nga “patriarkalizmi mbytës” që ishte edhe para luftës, nga “neoliberalizimi shpronësues” që na erdhi pas luftës, nga traumat e patrajtuara të ngjarjeve gjatë luftës, “jemi aq shumë të lënduar, por njëkohësisht disi edhe shumë të fortë”.
“Dënimi i kriminelëve nuk ka të bëjë vetëm me një të kaluar të shkuar, por pikërisht me një të kaluar që nuk shkon. Njëmend drejtësia nuk e ngjall njeriun e vrarë dhe as nuk e zhbën krimin e ndodhur, por ajo ndëshkon kriminelin, e dërgon atë në burg duke e izoluar nga shoqëria së cilës ai i bëri dëm dhe jep shembullin për të gjithë ata që një mendim për krim do të mund ta bënin vepër kriminale. Vuajtja e dënimit nuk shërben vetëm për rehabilitim të të burgosurit, por edhe si simbol i dënimit të së keqes nga shteti, nga shteti i së drejtës. Shembull që shteti nuk fal, që shteti mbron, që shteti ruan si vlerën më të madhe të shoqërisë’.
Tutje Kurti ka thënë se në raste si ky i fundit, Policia nuk i paraprin prokurorisë dhe gjyqësisë, por i pason ato në mënyrë të dyfishtë: policia zbaton urdhrat e prokurorisë dhe gjyqësorit, si dhe vepron në një kontekst social të sendërtuar ndër shumë vite nga gjykimet e dënimet, apo më mirë të themi mos dënimet e mëhershme.
Kurti ka thënë se prokuroria pasive dhe gjyqësori joefikas janë ndër shkaqet kryesore të këtij realiteti ku vrasja e grave është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë.
“Sistemi i padrejtësisë që reagon me shpejtësi e efikasitet kur bëhet fjalë për përfitimin e tyre individual, nuk i shërben këtij shteti dhe kësaj shoqërie. Mungesa e profesionalizmit që shpërfaqet në vendime të anuara e të motivuara, vonesa të paarsyetuara për shkak të mungesës së mekanizmave të llogaridhënies, politizim i sistemit gjyqësor që u bë haptazi nga qeveritë e kaluara, prodhojnë viktima; prodhojnë dhunues; prodhojnë abuzues; dhe përçojnë mesazhin se gjithçka tjetër, përfshirë vënien e drejtësisë, vjen në trajtim pas ngopjes dhe përmbushjes së interesave personale”.
“Rrezikun në Kosovë nuk e ndajnë njësoj burrat edhe gratë. Gratë janë më të rrezikuara. Por janë në veçanti të rrezikuar nga një kategori e burrave. E tash duhet të bëhemi bashkë, edhe gratë me solidaritet gjinor, edhe burrat, emancipimi i të cilëve është edhe më i nevojshëm sesa i grave, që t’i mbrojmë gratë, të cilat e kanë rrezikun më të madh sesa burrat”.
Mes tjerash kryeministri Kurti ka shtuar se do t’i bëjnë dhe byzylykët elektronik kur ka urdhër mbrojtje, “por le të mos e përdorim këtë si zëvendësim për një lloj introspeksioni shoqëror”, raporton KP.
“Sepse vrasësit, abuzuesit, nuk e kërcënojnë vetëm gruan, e kemi parë se si e kërcënojnë motrën e gruas, e kërcënojnë fëmijën, e kërcënojnë prindin e gruas dhe ne nuk mund t’i vendosim me byzylykë elektronik gjithë familjarët e viktimës. Pra, introspeksioni shoqëror është i pazëvendësueshëm. Kjo nuk do të thotë që nuk do të angazhohemi e të investojmë më shumë, edhe për aspektet teknike e teknologjike të mbrojtjes sa më efikase”.
Kurti ka shtuar që “të mos e përdorim këtë që mos të bëjmë introspeksionin shoqëror, se na paska dalur një zgjidhje fantastike teknologjike dhe nuk paskemi nevojë ta shqyrtojmë pak së brendshmi shpirtin tonë si shoqëri, në kohën kur vrasjet e grave ndodhin edhe më shpesh sesa një për javë”.