Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se dakordimi i arritur në Bratisllavë në mes të emisarit Lajçak dhe zëvëndëskryeministrit Besnik Bislimi ndihmon në vendosjen e barazisë mes palëve, gjë e cila sipas tij ka munguar. Njëherit, sipas tij, e njëjta ndihmon edhe zbatimin e marrëveshjes bazike.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka lexuar pikat e dakorduara me BE-në për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
“Për suksesin e zbatimit të marrëveshjes bazike, së pari dy palët duhet ta pranojnë publikisht që marrëveshja ëshrë ligjërisht e obligueshme, gjë të cilën Serbia nuk e ka bërë ende, së dyti, zbatimi i marrëveshjes në plotni gjë që njëra palë nuk e ka të qartë…” së treti që zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet dhe së katërti, palët të kenë mundësi të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është penguar nga vendosja e masave të përkohshme nga BE”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar se dakordimi në Bratisllavë ndihmon në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike dhe të aneksit të saj.
“Dakordimi i Bratisllavës do të ndihmojë në përforcimin e fokusit dhe vendosjen e barazisë midis palëve që ndihmon zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike dhe të aneksit të saj”, ka deklaruar Kurti.
Ky i fundit pret që me marrëveshjen për shtensionim të situatës do të largohen masat e vendosura ndaj Kosovës.
Në fund të qershorit, Bashkimi Evropian vendosi masa ndaj Kosovës, të cilat përfshinin suspendimin e përkohshëm të punës së komisioneve të përbashkëta në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës, suspendimin e vizave e të tjera.
Zvogëlimi i pranisë policore në ndërtesat komunale në veri të vendit, është kërkesa të cilën Kosova është pajtuar të zbatojë, ka thënë BE-ja për Dukagjinin.
Në një përgjigje për Dukagjinin, nga BE-ja kanë deklaruar se emisari Lajçak dhe zëvendëskryeministri Bislimi diskutuan përgjigjen e Kosovës ndaj kërkesave të BE-së për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.
“Ata diskutuan përgjigjen e Kosovës ndaj kërkesave të BE-së për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në 4 komunat veriore dhe kthimin në zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut, sipas deklaratës së BE27 të 3 qershorit. Ata ranë dakord për hapat e parë prioritarë të Kosovës në të gjitha këto 3 fusha. Këto përfshijnë zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, Kosovën që kryen rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas rastit, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të kësaj pranie, duke mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën dhe nxitjen për zgjedhje të parakohshme lokale, si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore”, kanë thënë nga BE-ja.
Ndryshe, bëhet e ditur se BE-ja ka ftuar kryenegociatorët e dialogut Kosovë-Serbi javën e ardhshme në Bruksel.
Nga ana tjetër, Qeveria ka treguar gjatë së martës katër pikat e dakorduara.
“Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale. Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës, do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale. Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve. BE do t’i ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel, me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, bëhet e ditur se veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.