Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar një marrëveshje që synon të mbrojë informacionin e klasifikuar dhe të forcojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë.
Kjo marrëveshje ka për qëllim garantimin e ruajtjes së informatave me interes shtetëror, komunikimin efikas dhe të papenguar me partnerët, si dhe avancimin profesional të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në një deklaratë të përbashkët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, kanë shprehur mënyrën se si kjo marrëveshje do të ndikojë në sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Kurti ka theksuar se siguria kombëtare është një prioritet thelbësor për Qeverinë dhe se ajo përfshin veprime të mençura në fushën politike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake për të garantuar mbrojtjen e qytetarëve.
Po ashtu, sipas tij, marrëveshja përfshin disa pikë kyçe, përfshirë ruajtjen e informacionit të klasifikuar sipas legjislacionit vendas dhe aksesin e kufizuar ndaj tij, që do të jepet vetëm personave me certifikata të sigurisë.
Ndër të tjera, ajo përcakton procedurat për menaxhimin e informacionit të humbur dhe mënyrën e asgjësimit të tij.
“Koncepti i sigurisë kombëtare është udhërrëfyesi i qeverisjes së përgjegjshme. Qeveria e ka për detyrë të sigurohet që qytetarët janë të mbrojtur, dhe një gjë e tillë e bën përmes veprimeve të mençura politike, ekonomike, diplomatike e ushtarake”, ka thënë Kurti.
Ambasadori Hovenier ka theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informacionit të sigurisë pa pengesa dhe theksoi se SHBA-ja ka detyrimin për të mbrojtur dhe shkëmbuar informatat e klasifikuara me Kosovën.
Ai gjithashtu ka shtuar se SHBA-ja mbështet sovranitetin e Kosovës dhe synon anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, veçanërisht në organet e sigurisë.
“Aftësia që partnerët të shkëmbejnë informata shpejtë dhe pa pengesa është jetike, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Përmbyllja e kësaj marrëveshje është e rëndësishme sepse shënon kulmin e më shumë se 2 viteve të negociatave por përfaqëson edhe arsyetimin e fuqishëm të SHBA-së për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën në fushën e sigurisë”, ka deklaruar Hovenier.
Kjo marrëveshje gjithashtu, siç ka deklaruar Hovenier avancon qëllimin e përbashkët për zhvillimin e suksesshëm të FSK-së në forcë të mbrojtjes territoriale, profesionale.