Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i ish-veprimtarit politik, Adem Demaqi, të shtunën e 31 dhjetorit.
“Në përmbyllje të një viti sfidues, por të suksesshëm, nderojmë ata, të cilët, na frymëzuan dhe na frymëzojnë çdo ditë në angazhimin dhe punën tonë”, ka shkruar ministri Mehaj.
“Sot bashkë me kryeministrin Kurti dhe familjen e bacës Adem, bëmë nderime te varri i Adem Demaçit, ai do të mbetet përgjithmonë kryefjala e qëndrueshmërisë dhe rezistencës sonë kombëtare”, ka shkruar tutje ministri i Mbrojtjes.
Mehaj ka theksuar se muaji dhjetor “është muaji kur Parlamenti Evropain nderon bacën Adem me çmimin Saharov l, duke e konsideruar si luftëtar të paepur për lirinë e mendimit dhe mbrojtës të lirive dhe të drejtave të njeriut”.
Sipas ministrit Mehaj, Adem Demaçi dhe Adem Jashari, dy Ademat “do të jenë prijësit tonë të përjetshëm, njëri në aspektin politik dhe tjetri në aspektin ushtarak”.