Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, kanë takuar Gjeneralmajorin e Gardës Kombëtare të Iowas në ShBA, Benjamin Corell, si dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), që po qëndrojnë për trajnime në Iowa.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka shkruar se Corell ka vlerësuar lart kontributin e ushtarëve kosovarë në misionet e paqes në Lindjen e Mesme.
Ndër të tjera, ai ka thënë se së bashku me Kurtin e kanë falënderuar Corell për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe faktin që “Republika e Kosovës tashmë shihet si partner i besueshëm, i gatshëm për bashkëzbarkim me Gardën Kombëtare të Iowas” në çdo mision.
“Zbarkimi i FSK-së së bashku me ushtarët e ShBA-së në misione jashtë shtetit tonë, strehimi dhe asistimi i transportimit të refugjatëve afganë, janë elemente të një shteti bashkëpunues që përqafon vlerat evropiane, si dhe hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të reformës në Ushtrinë e Republikës së Kosovës, sipas standardeve Euroatlantike”, ka shkruar Mehaj.
Mehaj ka theksuar se, misionet paqeruajtëse, kërkesa për bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë, dhe vullneti i Qeverisë për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, janë mesazh i qartë i qëndrimit të Kosovës karshi aleatëve të saj.
Ai, gjithashtu, ka shtuar se Kosova është e gatshme për të qenë kontribuese e sigurisë në botë.
“Ky partneritet ndërmjet Kosovës dhe Iowas ka ndihmuar në shkëmbimin e vlerave dhe përvojave, dhe do t’iu ofrojë qytetarëve të të dyja shteteve mundësi më të mëdha. Kosova me rininë e saj dhe Iowa me kompanitë e gatshme për investim, janë sinergjia e një miqësie të përjetshme me rezultate shumë pozitive”, ka shkruar tutje ai.
Ndryshe, të premten e 13 majit, Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, kishte njoftuar se do të vazhdojë vizitën e tij në Iowa të ShBA-së.
Kjo vizitë, sipas Kurtit, ka për qëllim, forcimin e mëtejmë të partneritetit me Gardën Kombëtare të Iowas.
”Pas këtyre takimeve dhe bashkëbisedimeve do të vazhdojmë në Iowa, për forcimin e mëtejmë të partneritetit në mes të FSK-së dhe Gardës kombëtare të Iowa-s”, ka thënë Kurti.
Ai ka treguar për takimet e tij të zhvilluara në Teksas, ku është diskutuar rritja e buxhetit për mbrojtje, siguri dhe bujqësi.
”Në Teksas kemi pasur takime shumë të dobishme me komunitetin e biznesmenëve shqiptaro- amerikanë dhe amerikanë, por në të njëjtën kohë, edhe me ata të cilët janë në fushën e agrikulturës, sepse në Republikën e Kosovës për këtë vit e kemi rritur buxhetin, posaçërisht, për mbrojtje e siguri dhe për bujqësi”, ka theksuar ai.
Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit ka theksuar se vizitën e tij do ta vazhdojë për në Chicago, Michigan, Boston, New York dhe Washington DC.