Kryeministri së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli,
Po ashtu, edhe nga ky takim nuk është marr ndonjë vendim për ndërprerjen e grevës në arsim nga ana SBAShK-ut dhe BSPK-së.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, për më shumë se një orë u diskutua për grevën e shpallur nga BSPK-ja, për kërkesën sindikale për shtesën prej 100 euro dhe për veprimet e deritanishme të Qeverisë në trajtimin e kërkesave tjera paraprake të sindikatave.
Kurti e ka njoftuar Hykollin se Projektligji për Pagat e Sektorit Publik këtë javë ka përfunduar fazën e konsultimeve paraprake, dhe se gjatë javës së ardhshme do të dalë në konsultime publike, ndërsa, e ka ftuar BSPK-në që të bëhet pjesë e këtyre konsultimeve.
Ndërkaq, javën e kaluar është prezantuar pakoja e re për Përballje me Inflacionin që është vazhdimësi e mbështetjes ndaj qytetarëve nga e cila përfitojnë të gjithë qytetarët, përfshirë edhe punonjësit e sektorit publik.
“Përveç mbështetjes direkte financiare, ku përfitojnë të punësuarit në sektorin publik e privat, studentët, familjet në asistencë sociale e pensionistët, pakoja parasheh edhe lehtësim të barrës së faturave të energjisë elektrike për ata që kursejnë. Kjo mbështetje që po u bëhet qytetarëve është më e madhja në rajon por edhe më gjerë”, thuhet tutje në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.
Më tej, Kurti ka thënë se qeveria që drejtohet nga ai ka treguar gatishmëri për të adresuar kërkesa sindikale që trajtojnë në mënyrë sistematike problemet e punëtorëve të sektorit publik.
Sipas njoftimit, si dëshmi ai ka marr vendimet e MAShTI-t për të ndarë 1.7 milionë euro për 300 mësimdhënës me probleme shëndetësore, për buxhet shtesë për mësimdhënësit që kualifikohen si tepricë ashtu që mos të mbesin pa punë, trajtimin e barabartë të mësuesve klasorë dhe lëndorë në arsimin e mesëm të ulët, eliminimin e padrejtësive ndërmjet të gjitha kategorive të punëtorëve të arsimit dhe renditjen e mësimdhënësve me koeficientin më të lartë ndonjëherë sipas projektligjit të ri.
Ndërkaq, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, dhe Hykolli kishin zhvilluar një takim edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, por, as pas takimit, nuk ka ndryshuar vendimi për mbajtjen e grevës, edhe pse nga ana e presidentes ka pasur lutje që ta ndërpresin grevën.