Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić dhe zëvendësministrin e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Enes Goran, është takuar me pjesëtarë të komunitetit jo shumicë goran, të premten e 19 majit.
Në këtë takim, kryeministri Kurti i përditësoi me veprimet e qeverisë për komunitetin goran nga takimi i fundit që kishin në tetor. Këtu përfshihet pakoja mbështetëse prej 3 milionë euro për komunitetet jo shumicë, për OJQ-të, bizneset e reja dhe ekzistuese, dhe për fermerët dhe prodhuesit e vegjël në zonat rurale.
“U fol edhe për programin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve, për ndarjen e 500 mijë eurove për OJQ-të dhe mediat, me mjete të rezervuara për secilin komunitet; dhe për përfituesit goran nga thirrja e fundit e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për ndërtimin e shtëpive. Kryeministri përmendi punën e Qeverisë me Komisionin për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut dhe iniciativën për krijimin e Njësisë për Përkthim dhe Harmonizim në kuadër të Zyrës së Kryeministrit”, njofton Zyra e Kryeministrisë.
Të pranishmit kanë ndarë brengat e tyre për sa i përket punësimit të komunitetit në institucione, ndërsa kryeministri ka ndarë me ta planet për adresimin dhe trajtimin e kësaj çështjeje.