Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet në Ohër më 18 mars, kështu ka konfirmuar një zyrtar i Bashkimit Evropian (BE), raporton REL.
Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Propozimit Evropian – Marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.
Një zyrtar i BE-së, ka thënë të enjten në Bruksel se Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara Marrëveshjen dhe aneksin ose planin e zbatimit.
Sipas zyrtarit të BE-së pa planin e zbatimit, i cili konsiderohet pjesë përbërëse e Propozimit Evropian – Marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, e njëjta do të ishte vetëm “një deklaratë politike, pa asnjë detyrim ligjor apo politik për palët”.
Ky zyrtar ka sqaruar edhe dilemat që kanë lindur rreth nënshkrimit apo jo të Marrëveshjes dhe interpretimeve të palëve.
“Kemi pasur dy pjesë të dokumentit unik. Propozimin dhe aneksin [planin] për implementim. Nuk u diskutua për propozimin, sepse palët u pajtuan se nuk ka më nevojë. Fokusi ishte në implementim. Do të ishte ideale sikur të kishte pajtim për të dyja dokumentet, por kjo nuk ishte reale. Skenari më i keq ishte sikur të mos pajtoheshin për asnjërin”, ka thënë ky zyrtar.
Sipas tij, kryeministri Kurti, propozoi që dokumenti të nënshkruhet, por përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, bëri të qartë se BE-ja nuk e ka menduar kështu takimin, sepse sipas tij, marrëveshja duhet të përfshijë edhe aneksin me afatet kohore për implementimin e saj.
“Ky dokument, pa pjesën e implementimit, do të jetë vetëm një deklaratë politike. Diskutimi për implementim ishte i vështirë dhe nuk kemi shkuar larg. Nuk është sekret kur them se çështja e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe] është më e vështira”, ka thënë ky zyrtar, duke shtuar se pasi të nënshkruhet, marrëveshja do të bëhet dhe ligjërisht obliguese.
Skenari i dëshiruar për palën evropiane është që ky të jetë një takim ku liderët do të bien dakord për një aneks të planit që përfshin një kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementët e marrëveshjes.
Diskutimi për propozimin evropian konsiderohet i mbyllur për palën evropiane, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e mbajtur më 27 shkurt në Bruksel, u pajtuan për tekstin e propozimit të BE-së.
Çfarë përmban propozimi evropian?
Disa orë pas përfundimit të takimit në Bruksel, Bashkimi Evropian publikoi për herë të parë tekstin e plotë të propozimit të tij për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky propozim – drafte të të cilit kishin qarkulluar që nga viti i kaluar, kur iu dorëzua palëve – ka 11 nene, që synim kryesor ka të arrihet marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë, mbi bazë të drejtave të barabarta.
Propozimi synon që palët të respektojnë të drejtat sovrane të njëra-tjetrës, pavarësinë, autonominë, sovranitetin, integritetin territorial, të drejtën e vetëvendosjes dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimit.
Aty, po ashtu, parashihet njohja e simboleve dhe dokumenteve relevante, që do të mundësonin qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave.
Sa u përket të drejtave të komunitetit serb në Kosovë – që është komunitet joshumicë – propozimi parasheh mbrojtjen e tyre.
Po ashtu, thuhet se duke pasur për bazë instrumentet e Këshillit Evropian dhe përvojat ekzistuese evropiane, palët do të përkushtohen që ky komunitet të ketë një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes në Kosovë, si dhe të gëzojë të drejtën e ndihmës financiare nga Serbia.
Po ashtu, me këtë propozim, palët pajtohen që të mos e pengojnë njëra-tjetrën, kur bëhet fjalë për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Çfarë thanë liderët për propozimin?
Përderisa për Kurtin takimi i 27 shkurtit ishte konstruktiv, për Vuçiqin ishte një takim “i vështirë”.
Kurti ka thënë se në takim u konfirmua se propozimi është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm.
“Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se pala serbe nuk ishte e gatshme të nënshkruante marrëveshjen, ndërsa ai po.
Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “takimi nuk kishte të bënte me pranimin apo mospranimin e propozimit”.
“Unë pres ta shoh planin e zbatimit, para së gjithash planin e zbatimit të obligimeve të mëparshme”, ka thënë ai, duke shtuar se ende duhet të punohet në udhërrëfyes.
Përderisa palët u pajtuan për propozimin, Serbia ka thënë se insiston në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ky Asociacionin, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje (më 2013 dhe 2015), deri më tani është kundërshtuar nga kryeministri Kurti, i cili kundërshton që ai të jetë me kompetenca ekzekutive, ashtu siç kërkon Serbia.
Megjithatë, në propozim thuhet se palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut, që janë arritur më parë.
Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që përkrahin propozimin evropian – vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova të zbatojë marrëveshjet për Asociacionin.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se disa pika të Marrëveshjes mbi parimet për themelimin e Asociacionit të arritur po atë vit, nuk ishin në harmoni të aktit më të lartë juridik të shtetit.
Megjithatë, Gjykata tha se ato mund të harmonizohen.
“Në radhë të parë është Asociacioni i komunave serbe”, ka thënë Vuçiq pas takimit me Kurtin.
Në fillim të shkurtit të këtij viti, Kurti ka paraqitur gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit, duke kërkuar që ai të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.