“ShBA-të vazhdojnë të jenë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë kryesorë në shtetndërtimin demokratik, në zhvillimin ekonomik dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër duhet ta ketë njohjen reciproke, natyrisht do të ketë edhe çështje të tjera në atë marrëveshje, por në qendër është njohja reciproke”.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i pyetur nga gazetarët për letrën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku kishte theksuar se Kosova dhe Serbia do të bëjnë kompromise të vështira për të arritur normalizimin e raporteve.
Kurti madje u përgjigj duke thënë, “Nuk e kam lexuar atë letër ende dhe nuk e kam shkruar unë”.
Blinken në letrën e tij të urimit dërguar presidentit Vuçiq në nder të ditës së shtetësisë së Serbisë ka theksuar, “liderët e Serbisë dhe të Kosovës do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe për tërë rajonin – do të jenë të mëdha”.
Në këtë letër ishte theksuar edhe mbështetja e ShBA-së ndaj Serbisë.
“ShBA-ja është mbështetëse e fuqishme në ambiciet e Serbisë për në Bashkimin Evropian. Jemi të përkushtuar të punojmë me ju dhe partnerët tanë të BE-së drejt këtij qëllimi të rëndësishëm. Mirëprita angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë në vizitën e fundit në Beograd”.
Blinken në letrën drejtuar Vuçiqit: Kosova dhe Serbia do të bëjnë kompromise të vështira