Kurti do të marrë pjesë në një konferencë në Sarajevë për raportet rajonale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të udhëtojë në Sarajevë më 5 dhjetor për të marrë pjesë në një konferencë të organizatës “Krug 99”, ku do të diskutohet për marrëdhëniet rajonale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë më 5 dhjetor në Sarajevë, ku një ditë më vonë do të marrë pjesë në një konferencë të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.

Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga udhëheqësi i kësaj organizate, Adil Kullenoviq, i cili shtoi se kryeministri kosovar do të mbajë një fjalim në këtë konferencë.

“Në këtë sesion do të diskutohet për marrëdhëniet rajonale”, tha Kullenoviq për REL-in.

Në tetor, Kurti kishte deklaruar gjatë një samiti të Procesit të Berlinit se Kosova do të lejojë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të hyjnë në Kosovë me letërnjoftim, duke nisur nga 1 janari i vitit 2025.

Marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, që do të mundësojë që qytetarët e këtyre dy vendeve të udhëtojnë pa viza, ende nuk është ratifikuar në Parlamentin e Bosnjës.

Ajo po bllokohet nga përfaqësuesit e entitetit të Republikës Sërpska, të udhëhequr nga Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur e Millorad Dodikut.

Qytetarët e Kosovës, që duan të udhëtojnë drejt Bosnjës do të duhen të pajisen me viza, “që lëshohen vetëm në raste të jashtëzakonshme”, dhe duhet të miratohen nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës. Kërkesat për viza mund të dorëzohen në Shkup, Podgoricë dhe Beograd, ndërkaq pagesa për vizë është 31 euro.

Për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës që duan të udhëtojnë në Kosovë kërkohet, ndër të tjera, një letër garancie ose rezervim hoteli, kontratë pune dhe certifikatë apo konfirmim se nuk janë të dënuar. Viza kushton 40 euro dhe dorëzohet në ambasadën e Kosovës në Zagreb.

Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën, për shkak të kundërshtimit të entitetit të Republikës Sërpska, të udhëhequr nga presidenti prorus Millorad Dodik, i cili është nën sanksione amerikane për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Nora Gjakova fiton medaljen e bronztë në Paris

Nora Gjakova e ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit, që është e treta nga Franca për Kosovën. Gjakova e fitoi duelin...

Distria e fiton medaljen e bronzt në Grand Slamin e...

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin e xhudos që po mbahet në Paris. Xhudistja kosovare fitoi me waz-ari ndaj xhudistet nga...

Shkruan Romeo Çollaku, përkthyesi i romanit “Lugina e lumit Issa”...

Përkthyesi i librit, Romeo Çollaku, ndan me lexuesit historinë e “Lugina e lumit Issa” shkruar nga autori polak Czesław Miłosz. Nga ROMEO ÇOLLAKU Romani Lugina e lumit...

Të fundit nga rubrika