Kurti: Draft-statuti për Asociacionin nuk është “Zajednicë”

"Drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Kosovës që ishte çimentuar në vitet 2013-2015, ka një qartësi sa i përket njohjes së Kosovës. Nuk është Zajednicë, asisoj do të ishte e padiskutueshme", ka thënë Kurti në lidhje me draft-statutin për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e së premtes ka komentuar draft-statutin për Asociacionin që ishte i gatshëm ta nënshkruajë në Bruksel, por tha se nuk mund të japë detaje pasi nuk i lejohet.

Ai ka thënë se ky draft-statut nuk është Zajednicë, pasi asisoj do të ishte e padiskutueshme.

Kurti ka thënë se draft-statuti për Asociacionin e ndërpret “trashëgiminë mosnjohëse të Kosovës që ishte çimentuar në marrëveshjet e 2013 dhe 2015”.

““Unë sot, me aq sa mundem, do të flas rreth këtij propozimi, por pa detaje, sepse ndërkombëtarët kanë kërkuar ta respektojmë kërkesën për konfidencialitet. Ata duhet dhe do ta publikojnë për të ofruar më shumë transparencë në proces. Drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Kosovës që ishte çimentuar në vitet 2013-2015, ka një qartësi sa i përket njohjes së Kosovës. Nuk është Zajednicë, asisoj do të ishte e padiskutueshme”, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk do të japë qëndrime juridike për këtë draft, pasi qëndrimet për përputhshmërinë me Kushtetutën do t’i japë Gjykata Kushtetuese.

Kurti tha se draft-statuti është shkruar me kujdes ndaj germës së Kushtetutës, më shumë sesa frymës së saj. Megjithatë, ai tha se në draft parashihet që ky dokument të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

“Drafti ia mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia që serbëve në Kosovë t’iu projektojë një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës apo në mosnjohje të kufijve të Kosovës e rrjedhimisht ata të jetonin me ndjenjën e imponuar nga Beogradi për një luftë të re për territorin, a shkëmbim territorial a bashkim për këdo tjetër. Pra drafti e bën të qartë që vendi është Republika e Kosovës dhe e ardhmja është bashkëjetesa në institucionet dhe në kufijtë e Republikës së Kosovës. Kjo i bie që Serbia do të duhej të hiqte dorë nga premisa që serbët në Kosovë jetojnë në Serbi apo që serbët në Kosovë mund të kenë aspirate shkëputëse territoriale apo autonomi jashtë Republikës së Kosovës, jashtë ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës”, shtoi ai.

Ai ka thënë se ky draft e mbyll hapësirën nga Serbia që serbëve në Kosovë t’u projektojë të ardhmen jashtë kufirit të Kosovës dhe se “Serbia do të duhej të hiqte dorë nga premisa që serbët e Kosovës jetojnë në Serbi”.

“Gjatë takimit që kam pasur më 26 tetor, krerëve të BE-së partnerë tanë u kam thënë, Drafti që kam pranuar nuk do të ishte i tillë çfarë do ta shkruaja unë, por me të njëjtat tri shtylla, Aktgjykimi i Kushtetueses, letra e Federica Mogerini dhe qëndrimi i Amerikës i 31 janarit nga Chollet e Escobar”, ka theksuar Kurti.

Kurti tha se draft-statuti iu prezantua nga përfaqësuesit e “Pesëshes së Madhe” më 21 tetor në Prishtinë, të cilët, sipas tij, “më kërkuan garancione që drafti të mos e bëj publik, për shkak që publikimi i tij do të keqpërdorej në dëm të kontributit të qeverive sponsorizuese”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika