Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, pritet të mbajnë gjatë së hënës konferencë për media, me fillim nga ora 10:30.
Arsyet e mbajtjes së kësaj konference nuk janë bërë të ditura.
Kjo konferencë vjen pak ditë pas takimit që pati Kurti në Bruksel me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, në kuadër të Dialogut.
Ndryshe, takimi i 14 shtatorit u shpall i dështuar. As këtë herë, Kosova dhe Serbia nuk arritën të gjejnë gjuhë të përbashkët për zbatimin e marrëveshjes bazike të arritur në fillim të vitit.
Vuçiq insiston në themelimin e Asociacionit si veprim të parë, derisa për Kurtin hapat e ardhshëm janë vazhdimi i bisedimeve për implementimin e marrëveshjes në mënyrë “të sekuencuar”, përkatësisht zbatimin e nenve të saj ashtu siç janë radhitur në Marrëveshjen bazike për normalizimin e marrëdhënieve.