Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka pritur në takim ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamara Ziv.
Kurti e ka falënderuar ambasadoren izraelite në Prishtinë për vendimin e Izraelit për t’i hequr vizat për shtetasit e Kosovës.
Po ashtu, siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, Kurti dhe ambasadorja Ziv diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve që sot, më 1 shkurt, shënojnë trevjetorin e vendosjes së tyre dhe vullnetin e dyanshëm për thellimin e mëtejmë të tyre, sidomos në fushën e ekonomisë.
Në këtë drejtim, ata diskutuan rreth mundësisë për organizimin e një Forumi Ekonomik, që do të shërbente si mundësi për të promovuar bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë për të investuar në Kosovë.
Më tej, kryeministri Kurti ka falënderuar ambasadoren Ziv për komunikimin e afërt dhe mbështetjen e vazhdueshme.
Ai, gjithashtu, i ka shprehur ngushëllime ambasadores Ziv për viktimat e sulmeve nga Hamas teksa theksoi mbështetjen e Qeverisë për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, dhe uroi që së shpejti do të mund të arrihet një armëpushim i qëndrueshëm i përhershëm.