Natën e zgjedhjeve të nëntë shkurtit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjithë opozitën e përmblodhi me një shprehje.
Gati dy muaj pas, të paktën njërit prej liderëve të partive opozitare, Kurti i ka bërë ftesë për takim lidhur me formimin e institucioneve.
Lideri i partisë në pushtet që synon edhe një tjetër mandat në krye të qeverisë, i ka dërguar letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kurti ka kërkuar të konsultohet me Abdixhikun dhe për këtë qëllim i ka ofruar tri orare të mundshme takimi.
“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhet në ftesën e Albin Kurtit.
Lidhja Demokratike dhe drejtues të saj, në ndërkohë janë treguar të mbyllur për t’u deklaruar rreth ftesës.
Gjithsesi, anëtarja e kryesisë të kësaj partie, Jehona Lushaku ka thënë se organet e partisë do të vendosin se a do të shkojnë në takim apo jo dhe se qëndrimet për qeverisje me VV-në i kanë të qarta.
Kurti ka shprehur disa herë synimin që të mos bashkëpunojë me partitë opozitare për formimin e Qeverisë, por vetëm me deputetët nga komunitetet joserbe.
Kurse edhe LDK-ja ka mohuar mundësinë e hyrjes në koalicion me VV-në.
Prapa kësaj ftese, njohësi i çështjeve politike, Afrim Kasolli beson se qëndrojnë dy arsye.
“E para, mbase ka indikacione që nuk i ka numrat për formimin e institucioneve dhe kërkon ndihmën e partive opozitare. E dyta, mbase është një lojë taktike e Kryeministrit Kurti në kontekst të këtyre zhvillimeve duke e ekzpozuar vetën si të vetmin liderë që Serbia nuk e ka interes që të jetë në krye të Qeverisë por që mjerisht edhe përkundër ftesave që i ka bërë partive opozitare ato me vetëdije apo pa vetëdije po veprojnë në sinkron me interesat e Serbisë”, deklaroi Afrim Kasolli – Analist.
Televizioni ka pyetur edhe partitë tjera nëse kanë marrë një ftesë të tillë, por zyrtarë të tyre nuk janë përgjigjur. Seanca për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit do të mbahet më 15 prill.