Kurti e “harron” reciprocitetin me Serbinë, opozita e akuzon për dështime strategjike

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se rritja e importeve nga Serbia është rezultat i fokusimit të Qeverisë së tij në dialogun për njohje reciproke me Serbinë. Ndërsa, opozita ka kundërshtuar pretendimin e kryeministrit se dialogu ka ndikuar në rritjen e importeve nga Serbia, duke e quajtur atë “një arsyetim politik për dështime strategjike”

Fotografi ilustruese për portalin Dukagjini, e realizuar nga Blerim Lipa.

Qeveria aktuale e Kosovës vazhdon të përballet me kritika për vlerën e lartë të importeve nga Serbia, si në vitin 2022, ashtu edhe në vitin 2023.

Shifrat tregojnë se vlera e importeve në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme në dy vitet e fundit. Në vitin 2020, vlera e importit ishte 3.2 miliardë euro, ndërsa në vitin 2022 arriti në 5.6 miliardë euro, pra, praktikisht, u dyfishua.

Sa u përket importeve nga Serbia në vitin 2022, Kosova ka importuar produkte nga ky vend në vlerë prej 371.6 milionë eurosh. Kjo shifër tregon se sa para janë shpenzuar për blerjen e produkteve serbe në Kosovë gjatë këtij viti.

Kryeministri Albin Kurti, gjatë një interviste në fund të muajit mars, kishte deklaruar se fokusimi në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë ka pasur një ndikim në rritjen e importit nga Serbia për vitet 2020 dhe 2021.

Por, kjo nuk ishte ajo se çfarë Kurti kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore, ai kishte thënë se dialogu nuk do të jetë prioritet i parë e as i dytë, kurse me të ardhur në pushtet, dialogu u bë prioriteti numër një, kurse reciprociteti nuk u vendos, ashtu siç premtoi.

Pas dy vitesh qeverisje, ai thotë se nuk ka reciprocitet të plotë me Serbinë, dhe nuk ka dhënë sinjal të qartë nëse ai do të vendoset gjatë mandatit të tij.

Megjithatë, sipas tij, kjo çështje po mendohet të trajtohet dhe të adresohet pas arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, e cila nuk duket se është afër.

Deputetët e partive opozitare kanë theksuar se deklarata e kryeministrit Kurti është vetëm një retorikë politike e përditshme, e cila ka si qëllim të gjejë arsye për dështimet strategjike të Qeverisë në marrëdhëniet me Serbinë.

Në lidhje me këtë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për portalin Dukagjini, ka bërë një krahasim për importet nga Serbia, duke theksuar vitin 2017 si një vit ku shifrat e importit kishin arritur kulmin. Ai ka theksuar se këto importe kanë zënë vendin e parë në historinë e importit të Kosovës deri më tani.

Përparim Kryeziu zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës.

Kryeziu ka vënë në dukje se një nga masat që Qeveria ka marrë për të ulur importet nga Serbia, është fokusi i tyre në rritjen e eksportit dhe të prodhimtarisë vendore.

“Përmes Pakos për Ringjalljen Ekonomike, kemi mbështetur sidomos bizneset prodhuese, për të rritur kapacitete e tyre të prodhimit. Kemi rritur 216% mbështetjen për bujqit dhe fermerët. Këtë viti kemi shënuar rekord të të mbjellave. Raporti i përgjithshëm ndërmjet eksportit dhe importit, nga 1 me 9 sa ka qenë, është përmirësuar në 1 me 6. Pra, trendi është pozitiv dhe premtues, ndonëse ka ende shumë për t’u bërë, sepse raporti ka qenë shumë i disbalancuar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënësit të Qeverisë.

Ndër të tjera, Kryeziu ka shprehur besimin se procesi i dialogut me Serbinë dhe Marrëveshja Bazike ofrojnë zgjidhje të duhura dhe reciprocitet për bizneset kosovare.

Opozita kundërshton pretendimin se dialogu ka ndikuar në rritjen e importeve nga Serbia

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, në një intervistë për portalin Dukagjini, ka kritikuar kryeministrin Kurti, duke thënë se ai ka përdorur dhunën, sharjen ndaj Qeverisë dhe policisë për të ardhur në pushtet.

Po ashtu, ai ka akuzuar Kurtin se deklaratat e tij për programe, reciprocitet dhe mosdialog me Serbinë janë thjesht marrëveshje politike për të ardhur në pushtet. Sipas Shatrit, Kurti ka përdorur këto deklarata si mjet për të fituar mbështetje politike dhe për të krijuar imazhin e një lideri të fortë në raport me Serbinë.

Haki Shatri, ish-ministër i Financave

Sipas tij, nuk ka lidhje në mes të dialogut dhe rritjes së importeve nga Serbia, pasi ekonomia funksionon si treg i lirë, ku tregtarët blejnë dhe shesin lirshëm.

Shatri, po ashtu, ka theksuar se Kurti po përpiqet të mbetet në pushtet, duke përdorur kritikat ndaj dialogut, si një mënyrë për të zhvendosur fokusin nga dështimet e tij në drejtim të Serbisë.

“Nuk ka lanë asnjë formë të veprimit të dhunshëm e të padhunshëm, të ndershëm e të pandershëm, politike e jopolitike që nuk e ka bërë, vetëm për të ardhur në pushtet. Ka deklaruar reciprocitet, ka deklaruar që nuk ka dialog me Serbinë pa njohje, krejt këto kanë qenë marifete për të ardhur në pushtet. Tash që ka ardhur në pushtet tonat po i përbin, vetëm për të qëndruar në pushtet. Se lidhje nuk ka importi me ndikimin e dialogut, sepse është sikur ekonomia e tregut të lirë, ku të gjejnë tregtarët më lirë e blejnë”, është shprehur ai.

Shatri ka theksuar se, megjithëse tregtia është e lirë, Qeveria mund të ndërhyjë me masa anësore, që mund të kenë ndikim në importin. Ai ka sugjeruar se një mënyrë për të kufizuar importin nga Serbia mund të jetë zbritja e taksave fiskale në bashkëpunim me vendet e tjera.

Shatri, gjithashtu, ka vënë në dukje se ndalimi i importit nuk është në përputhje me natyrën e lirisë së tregut, pasi tregtarët blejnë mallrat atje ku i gjejnë më lirë. Si shembull, ai ka përmendur rastin, kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj vendosi taksën 100 për qind për të penguar importin nga Serbia.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka theksuar se nuk ka parë veprime të kryeministrit dhe të procesit të dialogut që kanë trajtuar çështje ekonomike.

Shala në një intervistë për portalin Dukagjini ka shprehur shqetësimin e tij për mosveprimin adekuat dhe mospërgjigjen e politikave ekonomike të Kosovës në përputhje me trendin rajonal.

Ai ka thënë se ka një shmangie totale nga premisat dhe politikat e mëparshme të Lëvizjes Vetëvendosjes për reciprocitet në fushën ekonomike, dhe, sipas tij, nuk ka asnjë veprim juridik për të dëshmuar zbatimin e premtuar të Qeverisë dhe të kryeministrit.

Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës

“Po, këtu kemi një shmangie totale nga e kaluara që është premtuar dhe është folur, që ka qenë edhe politikë paqësore e Lëvizjes Vetëvendosjes që të kemi reciprocitet në fushën ekonomike. Ne nuk kemi asnjë veprim juridik, që dëshmon atë çka realisht qytetarët e kanë votuar dhe kanë besuar që kjo Qeveri dhe ky kryeministër do ta zbatojë”, ka thënë Shala.

Shala ka theksuar se Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë në kuadër të dialogut, që u nënshkrua pas dy vjetësh të negociatave dhe rinegociimit dhe u mbështet në prezencën e faktorëve ndërkombëtarë, ende nuk është zbatuar, duke shkaktuar humbje qindra milionë euro për Kosovën.

“Qeveria nuk ka hartuar politika stimuluese për prodhimin vendor, Qeveria ka ngritur dhe vazhdon të ngritë pa kriter standardin, duke rënduar sektorin privat me theks të veçantë. Qeveria ka ikur nga përgjegjësia që ka ndaj investitorëve vendorë. Qeveria ka sabotuar me përgjegjësi të plotë investitorët strategjikë të fushës ekonomike, të fushës së industrisë së minierave dhe të fushës së energjisë, që do të ishin katalizatorët e zhvillimit dhe të prodhimit vendor”, ka deklaruar tutje ai.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka shprehur bindjen se Serbia është kthyer më e fortë se kurrë në ekonominë kosovare, nën kryeministrin Kurti.

Lekaj ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka ndryshuar kursin dhe veprimet ndaj mallrave serbe, duke u bërë të mira dhe të pranueshme për ta.

Sipas tij, Qeveria Kurti nuk ka pasur strategji të qartë për të kushtëzuar dhe ndaluar importin e mallrave serbe, duke e lejuar kështu Serbinë të bllokojë Kosovën në aspektin politik dhe ekonomik.

Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Deputeti i AAK-së ka shprehur nevojën për bashkëpunim në mes të qeverisë, opozitës dhe ekspertëve të ekonomisë, për të gjetur zgjidhje të mira për zhvillimin ekonomik, uljen e importeve dhe nxitjen e prodhimit vendor

Lekaj ka argumentuar se kjo mospërfillje e interesave të qytetarëve dhe të ndërmarrjeve ka shkaktuar dëme për Kosovën. Ai ka konkluduar se kjo Qeveri ka mllef dhe tendenca politike, nga të cilat askush nuk përfiton.

“Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur, e as nuk do të ndodhë, madje në rastet kur ekspertët e ekonomisë apo edhe ne si opozitë kemi dhënë ide dhe plane në përkrahje të qytetarëve të Kosovës, ekonomive familjare, ndërmarrjeve dhe bizneseve, ata për inate nuk e kanë realizuar dhe kanë pësuar qytetarët e Kosovës. Shkurt, kjo Qeveri ka mllef, dhe me mllef e tendenca politike nuk përfitojnë as shteti e as qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar ai në një intervistë për portalin Dukagjini.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë kohës sa kishte qenë kryeministër i Kosovës, kishte vendosur masën e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.

Sipas statistikave të bazuara në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2019, Kosova kishte importuar nga Serbia vetëm 6 milionë euro.

Pas largimit të Haradinajt nga pozita e kryeministrit, në krye të ekzekutivit të Kosovës kishte ardhur lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili mori vendim për heqjen e taksës pas presioneve të mëdha ndërkombëtare dhe kishte premtuar se ajo do të zëvendësohej me masën e reciprocitetit.

Mirëpo, një masë e tillë reciprociteti nuk u vendos asnjëherë, edhe pse kryeministri Albin Kurti, pak ditë para se të vinte për herë të dytë në pozitën e kreut të Qeverisë, kishte thënë se do të jetë çështje ditësh e javësh dhe kurrsesi muajsh.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ka ekzistuar një sfidë e vazhdueshme në lidhje me shkëmbimet tregtare me Serbinë. Kjo është për shkak se Serbia nuk ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe, si rrjedhojë, nuk i njeh dokumentet dhe institucionet e saj si legjitime.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika