Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka reaguar për ditlindjen e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot – Skënderbeu.
“Megjithatë, nisur nga emri i tij, Gjergj, historianët kanë ngritur hipotezën që dita e shenjtorit Gjergj, 6 maji, mund të jetë ditëlindja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Sido që të jetë, qoftë dhe vetëm për këtë arsye, data 6 maj është një shkas tjetër për ta kujtuar Skënderbeun, Kryezotin e Arbërisë”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka thënë tutje se biblografia e titujve të veprave të shkruara për Skënderbeun tejkalon shifrën 1 mijë, duke e bërë atë një nga figurat historike për të cilin botërisht është shkruar më së shumti.
“Biografi, poema, drama, opera dhe studime historike, politike, diplomatike dhe ikonografike, si dhe gjini të tjera, janë zgjedhur nga autorë shqiptarë dhe botërorë për ta trajtuar Skënderbeun dhe atë çfarë ai përfaqëson. Që nga Marin Barleti dhe Frang Bardhi, jeta dhe vepra e Skënderbeut ka tërhequr vëmendjen dhe ka nxitur interesimin e shumë autorëve dhe studiuesve shqiptarë dhe nga gjithë bota”, ka shtuar Kurti.
Kurti ka përshkruar Gjergj Kastriot – Skënderbeun si “luftëtar të guximshëm e patriot i madh, prijës i shquar dhe strateg ushtarak, politikan vizionar dhe diplomat i shkathët”.
Ai thotë se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është personaliteti më i rëndësishëm në historinë e shqiptarëve, kurse figura e tij prej heroi, nga koha e tij te rimarrja prej rilindasve dhe deri te ne sot, “ka mbetur qendror në identitetin shqiptar”.