Kurti e përfundon vizitën e tij në Strasburg me mërgatën shqiptare

Në fund të qëndrimit dyditor në Strasburg, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në organizim të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Strasburg, është pritur dhe ka biseduar me mërgimtarët tanë në Francë, Gjermani, Zvicër, Belgjikë dhe Luksemburg

Pamje të kryeministrit Albin Kurti në Strasburg, ku ka takuar dhe ka bashkëbiseduar me pjesëtarë të mërgatës shqiptare, 16 mars 2023, foto ZK.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përfunduar vizitën dyditore në qytetin e Strasburgut, i mirëpritur nga diaspora shqiptare atje.

“Me takimin e ngrohtë e të përzemërt me mërgatën tonë nga gjithsej pesë shtete të Bashkimit Evropian që orbitojnë qytetin e Strasburgut, e përfundova vizitën dhe qëndrimin dyditor atje”, kështu ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq, ai ka bërë edhe një përmbledhje të takimeve gjatë qëndrimit në Strasburg.

“Bashkë me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, këshilltarët e zëvendëskryeministrit të parë, Curri dhe Gricourt, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, zhvilluam gjithsej 11 takime zyrtare. Takuam 26 eurodeputetë, nga katër grupet më të mëdha politike të Parlamentit Evropian. U mirëpritëm nga Presidentja e këtij institucioni, Roberta Metsola. Morëm pjesë në takimin e 10-të të Komitetit të përbashkët Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Kurse mbrëmë, bashkëbiseduam me mbi 30 ambasadorë të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës në pritjen e organizuar nga ata”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa, Kurti ka njoftuar se në takimet e zhvilluara kanë prezantuar punën e Qeverisë, arritjet, reformat dhe planet.

“Morëm vlerësime pozitive për qeverisjen dyvjeçare dhe mbështetje për aplikimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Evropa është kontinenti ynë. Bashkimi Evropian është fati ynë. Ai synim i hershëm. Orientim vleror. Angazhim i përditshëm. I përbashkët”, ka shkruar tutje Kurti.

Siç ka bërë të ditur edhe Zyra e Kryeministrit, Kurti, në një organizim të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Strasburg, ka biseduar me diasporën shqiptare në Francë, Gjermani, Zvicër, Belgjikë dhe Luksemburg.

Kryeministri Kurti i ka falënderuar ata për interesimin e vazhdueshëm dhe kontributin e pareshtur të tyre për vendin dhe shtetin përgjatë secilës fazë të tij.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika