Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka kërkuar falje nxënësve të klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri” në Komunën e Podujevës, për një ekuacion matematikor që e kishte zgjidhur gabim.
Ai në një postim në Facebook, e pranoi se në momentin kur e kishte parë ekuacionin, ishte menduar se zgjidhja ishte x=5, ndërsa tani është shprehur i bindur që zgjidhja e saktë është x=0.
Kurti ka theksuar se nëse do të kishte menduar më shumë për ekuacionin, nuk do ta kishte marrë mundimin të shkruante në dërrasën e klasës.
Në mesazhin e tij, Kurti shprehu falënderime për mikpritjen e nxënësve në ndërtesën e re të shkollës dhe theksoi se gëzimi i tij për përparimin e shkollës e bëri të ndiejë mall për bankat shkollore.
“Ju falemnderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0”, ka shrkuar Kurti në Facebook.