Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka qenë pjesë e një paneli diskutues në Forumin Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos të Zvicrës.
Kurti ka shprehur kënaqësinë që ishte pjesë e këtij paneli, derisa në fotografitë e publikuara nga ai është vërejtur edhe prania e presidentit të Serbisë.
Kurti tha se në këtë panel u fol për dialogun e diplomacisë së Ballkanit Perëndimor bashkë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe liderë të tjerë të rajonit.
“Kënaqësi të jem pjesë e panelit sot në Forumin Ekonomik Botëror, duke diskutuar Dialogun e Diplomacisë së Ballkanit Perëndimor presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe liderë të tjerë të rajonit e më gjerë. Siguria gjeopolitike e rajonit tonë është thelbësore për sigurinë evropiane, prandaj tema është e një rëndësie të madhe”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ka pasur takime të ndara me personalitete të ndryshme botërore.
Të martën ai ka takuar ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, me të cilin ka diskutuar për aktualitetin në vend e rajon.
“SHBA është një mik dhe aleat i çmuar. Ne presim bashkëpunim të vazhdueshëm”, shkroi Kurti.
Në fillim të punimeve në Davos, Kurti ka theksuar se prioritet i takimeve bilaterale do të jetë siguria e Kosovës dhe mosshkelja e marrëveshjeve nga ana e Serbisë.
Derisa gjatë ditës së sotme Kurti ka zhvilluar një takim me anëtarin e Këshillit Federal të Zvicrës, njëherit edhe shef i departamentit të drejtësisë dhe policisë, Beat Jans.
“Diskutuam mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin ligjor për një partneritet të fortë”, kishte shkruar Kurti për këtë takim.
Derisa gjatë kësaj vizite nuk ka munguar as takimi i Kurtit me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, me të cilin po ashtu kanë biseduar për situatën në rajon./KP