Ky veprim i atë kohë kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për Lëvizjen Vetëvendosje ishte i papranueshëm.
Në një komunikatë të 3 shkurtit 2019, partia e Albin Kurtit thoshte se dënimi i politikanit serb Oliver Ivanoviq ishte gjysmak, derisa e akuzonte për vrasjen e dëbimin e shqiptarëve të rënë me 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000.
“I dënuar nga drejtësia gjysmake e EULEX-it për diçka që për pak sa se pranon me gojën e vet, por për çudinë e botës i përkujtuar me një minut heshtje nga qeveria e Kosovës në të njëjtën ditë me Komandant Jonuz Musliun”, shkruante Vetëvendosje.
Por, vetëm 4 vjet më pas kryetari i kësaj partie, tani në petkun e kryeministrit të Kosovës, jo që e kujtoi Ivanoviqin por e lartësoi figurën e kontributin e tij në një video të veçantë në përvjetorin e vrasjes.
Shoqëria civile është e habitur me këtë deklaratë të Kurtit, që dikur ishte po në këtë anë duke kërkuar drejtësi për shqiptarët për të cilët Ivanoviq akuzohej se kishte kryer krime lufte.
“Ai ka qenë i akuzuar për krime lufte, madje në shkallën e parë ishte dënuar për krimet e kryera në prill te 99-ës në qytetin e Mitrovicës pastaj rasti është kthyer për rigjykim dhe deri në 2005-ën ka vazhduar ky proces dhe nuk është me vend që përfaqësuesit e institucioneve të lavdërojnë apo ndrisin lartë figurën e dikujt të akuzuar për krime lufte”, ka thënë Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Por, sipas profesorit nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu, ka një tjetër aspekt që sipas tij ka dashur ta përdorë kryeministri i Kosovës.
“Ajo që Albin Kurti e ka përmendur në këtë rast me rastin e 5 vjetorit të vrasjes së tij ka qenë një gjë oporune nga ana e Kryeministrit të Kosovës me shfrytëzua një kundërshtar të Vuçiqit dhe me tregu që në Kosovë ka pasur politika dhe politikan të cilët janë kundër vijës së politikës nga Beogradi”, ka thënë Spahiu.
Për deklaratën e Kurtit reaguan edhe opozitarët.
Kryetari i PDK-së tërhoqi paralele duke pretenduar se një ish-veteran i luftës së UÇK-së nuk u lejua të flas në Akademinë përkujtimore të masakrës së Reçakut sepse do të përmendte aty Hashim Thaçin e Kadri Veselin.
“Ndërsa, si për ironi e pa fije turpi, Albin Kurti fjalë të mira dhe elozhe dje thuri vetëm për Oliver Ivanoviqin – të cilin sa ai ishte gjallë, edhe vet e akuzonte për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve në Mitrovicë gjatë periudhës së luftës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.