Zëdhënësi i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje Arlind Manxhuka, ka reaguar ndaj kritikave, lidhur me vendin ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po zhvillon takimet konsultative për formimin e qeverisë së re.
Sipas Manxhukës, është e natyrshme që këto takime të mbahen në objektin e Qeverisë, pasi aty është vendi i punës i Kryeministrit.
“KM Kurti po i mban takimet në zyrën e tij në Kryeministri, në ndërtesën e Qeverisë, sepse aty punon. Edhe mysafirët po ashtu po e preferojnë qeverinë”, ka thënë Manxhuka për Dukagjinin.
Cakolli kritikon Kurtin për mbajtjen e takimeve për qeverinë e re në ndërtesën e Qeverisë
Ky reagim vjen pas kritikave të Eugen Cakollit nga KDI, i cili e ka cilësuar të gabuar organizimin e këtyre takimeve në një institucion shtetëror, duke argumentuar se qeveria në detyrë nuk ka mandat zyrtar për formimin e ekzekutivit të ri.
“Nuk është në rregull dhe as s’duhet të normalizohet që takimet “konsultative” për formimin e qeverisë së re të mbahen në ndërtesën e Qeverisë – e aq më pak që për to të lëshojë njoftim Zyra e Kryeministrit. Aq më tepër kur ende nuk ka mandatim zyrtar për formimin e qeverisë, e qeveria aktuale është “në detyrë”.
Kjo nuk është çështje teknike, por një praktikë që zbeh kufirin mes shtetit dhe partisë, dhe që tregon shumë për mënyrën si konceptohet pushteti.
Një subjekt politik që synon të qeverisë vendin duhet të tregojë standarde më të larta – jo të shfrytëzojë hapësirat e shtetit për interesa të veta. Prandaj, takimet konsultative për formimin e qeverisë duhet të mbahen në seli partie ose në ambiente neutrale, e kurrsesi në zyra publike që u përkasin të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Cakolli.