Kurti: Edhe Asociacioni mund të adresohet në kuadër të bisedimeve me Serbinë, por duke zbatuar Kushtetutën e Kosovës

"Në bisedimet me Serbinë edhe Asociacioni mund të adresohet si çështje, por duke mos nënvlerësuar Kushtetutën e Kosovës", kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me kancelarin austriak, Karl Nehammer, me të cilin ka thënë se ka diskutuar edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me kancelarin austriak, Karl Nehammer ka thënë se është i nderuar që vizita e tij e parë zyrtare jashtë vendit në këtë vit të bëhet në një qytet si Vjena.

Kurti ka thënë se në këtë takim i ka bërë të ditur kancelarit austriak për qasjen konstruktive dhe kreative të Kosovës karshi Serbisë në dialog.

“I tregova atij për qëndrimin konstruktiv, aktiv dhe kreativ të Kosovës në bisedime me Serbinë që do të çonte në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, folëm edhe për atë si mund të forcojmë marrëdhëniet tona me Austrinë në politikë, administratë e kulturë e në çdo fushë”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Kurti ka thënë se është një moment kur nëse flitet për një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, aty edhe çështja e asociacionit mund të adresohet, por duke mos nënvlerësuar Kushtetutën e Kosovës.

“Jemi në një moment kur flasim për një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, aty edhe çështja e asociacionit mund të adresohet sipas Kushtetutës së Kosovës, e cila i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe, në frymën e saj nuk lejon asociacion njëetnik”, ka vijuar Kurti.

Ndërkaq i pyetur për barrikadat e vendosura më 10 dhjetor nga serbët në veri të Kosovës, kreu i ekzekutivit ka thënë se ato janë vendosur në shenjë të frikës nga sundimi i së drejtës.

“Ata që kanë vendosur i kanë hequr ato, qëndron i njëjti motiv prapa tyre besoj që barrikadat janë vendosur në shenjë të frikës nga sundimi i së drejtës dhe i kemi kërkuar KFOR-it të ndërhyjë, por fatmirësisht janë zgjedhur në mënyrë paqësore”.

Ndërsa, për shtimin e trupave të KFOR-it në Kosovë, Kurti ka thënë se kërkesa ka qenë për shkak të bazave ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën, të cilat i quajti “sfiduese”.

“Kemi shprehur interesim të kemi më shumë ushtarë të KFOR-it për shkak të 48 bazave ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën. Për shkak se prezenca e elementeve ushtarake paramilitare si mercenarët e Wagnerit, prezenca e tyre në këto baza është sfiduese. Për shkak të brengës sonë e kemi shprehur interesimin tonë për rritje të pranisë së KFOR-it”.

Ndër të tjera, Kurti ka thënë se synimi i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Ne do të vazhdojmë agjendën tonë të reformave duke shtruar rrugën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për të cilin kemi aplikuar para një muaji. Ne e vlerësojmë mbështetjen austriake për aplikimin tonë në bazë të vlerësimeve tona të pavarura, Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe synimi ynë është që të jemi pjesë plotësisht e integruar e BE-së”.

Sipas tij, Austria është mike e afërt dhe partnere e rëndësishme për Kosovën dhe se e ka ndihmuar në betejën për çlirim dhe rrugën drejt paqes, bashkë me ushtarët austriakë që kanë shërbyer për vite të tëra në forcat e KFOR-it në Kosovë.

Janë rreth 70 mijë qytetarë kosovarë që qëndrojnë në Austri, e që, sipas tij, shërbejnë si ambasadorë të Kosovës.

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika