Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se cili është dallimi midis draft-statutit të ri për Asociacionin dhe atyre të mëparshëm.
Sipas tij, dallimi kryesor është korniza, themeli se ku ky draft beson se do të zbatohet dhe se të njëjtin Kurti e quan të pakrahasueshëm me të tjerët.
“Me datën 21 tetor erdhi pesëshja e emisarëve, e cila erdhi për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe aty me 24 tetor, unë ua dërgova vërejtjet për atë draft-statut. Është e qartë se ai draft-statut është pakrahasimisht më i avancuar se siç kanë qenë në 2013 e 2015. Këtu janë çështjet e përmbajtjes, por unë do të thosha që kryesorja është se ky draft-statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh kjo gjë. Pra, së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës e që është shteti demokratik, Republika e Pavarur e Kosovës dhe në anën tjetër, megjithatë, unë kam dërguar vërejtjet, komentet, kritikat e mia për këtë draft me datën 24 tetor, meqenëse, natyrisht, nuk është një draft i cili do të shkruhej prej meje saktësisht asisoj”, tha ai në ATV.
“Dallimi kryesor është korniza, themeli se ku ky draft beson se do të zbatohet, dhe për këtë arsye kam thënë se është i pakrahasueshëm me të tjerët. Nuk mund ta pranoj asnjëherë akuzën për zvarritje. Kam thënë së fundmi le të nënshkruajmë, kur më tha se është e rëndësishme të bëhet sa më shpejt normalizimi, thashë ta bëjmë menjëherë sonte. Vetëm nënshkrimi është garancion për pranim që më pas të zbatohet. Përkundër kritikave të mia, edhe ky draft-statut meqenëse situata është urgjente në kontinentin tonë… le ta bëjmë në Bruksel nënshkrimin menjëherë”, shtoi Kurti.
Çka fiton Kosova?
Pas përfundimit të Forumit të Paqes në Paris, Kurti tha se nga marrëveshja bazike, Kosova përfiton njohjen de facto nga ana e Serbisë, por kjo e fundit, sipas tij, nuk po e zbaton dhe po e shkel atë.
“Në Marrëveshjen Bazike është njohja de facto, që duhet respektuar dhe zbatuar, Serbia as nuk po e zbaton, as respekton. Serbia as s’po e zbaton edhe po e shkel. Nuk më përket vetëm mua të flas si palë në anën tjetër të tryezës, i përket ndërmjetësve që ta thonë këtë gjë hapur”, tha ai.
Ai kritikoi ndërmjetësuesit se nuk po e ndëshkojnë Serbinë për shkelje të marrëveshjes.
“Nëse marrëveshja është valide, e patjetër që është valide, atëherë pala e cila e shkel, do të duhej ta dëgjonte vërshëllimën e arbitrit, referit që nuk guxon të vazhdohet me dhunim të marrëveshjes siç po bën presidenti i Serbisë, qoftë atëherë kur votoi me 24 prill kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës apo edhe atëherë kur po bën sulme terroriste e kriminale e që i sponsoron sikurse në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator”, tha Kurti.
Ai tha se mosnënshkrimi i kësaj marrëveshje është keqpërdorur nga Beogradi.
“Unë kam insistuar në nënshkrim për shkak se, pikërisht, mosnënshkrimi është keqpërdorur nga Beogradi. Ne kemi marrëveshje dhe ajo është pjesë e konkluzioneve të mbledhjeve të Këshillit Evropian, mirëpo Serbia edhe po e shkel edhe nuk po e zbaton. Nënshkrimi është ai i cili praktikisht i anulon shkeljet e mëhershme dhe parandalon shkelje të reja. Kjo është arsyeja pse unë kam insistuar, përveç faktit që me 9 shtator të vitit të kaluar, kur ma kanë sjellë draftin e parë të marrëveshjes bazike, gjithmonë është folur se në fund bëhet fjalë për një normalizim midis palëve kontraktuese që merren vesh me nënshkrimin që japin. Pra unë kam pranuar të nënshkruaj, mirëpo nënshkrimi është pranim dhe është garancion për zbatim”, tha Kurti.