Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do t’i përfundojnë punët që, sipas tij, qeveritë e mëhershme i kanë lënë në gjysmë. E këtu ai ka përfshirë rrugët Prishtinë – Podujevë, Prishtinë – Mitrovicë, Prishtinë – Pejë dhe autostradën Prishtinë-Gjilan dhe rruga Prishtinë-Pejë.
Kurti ka thënë se nuk ka qenë e lehtë ta zhbëjnë labirintin burokratik, keqplanifikimet me projekte dhe keqmenaxhimet me kontrata.
“Kanë filluar punimet me hov të merituar në rrugën Prishtinë – Mitrovicë. Puna në segmentin e parë të kësaj rrugë kishte nisur në vitin 2009, para 15 vjetëve. Nga një rrugë e cila ishte me dy korsi, po e kthejmë atë në rrugë nacionale me dy drejtime, me gjithsej katër korsi. Puna po vazhdon edhe në rrugën Prishtinë-Podujevë, e cila ka filluar të ndërtohet në vitin 2016, para 8 vjetëve. Atë po e zgjerojmë dhe po ia shtrojmë të shumëpriturat 15 kilometrat e mbetur në segmentin Prishtinë-Lluzhan, për çka kemi ndarë 35 milionë euro”, ka thënë kryeministri i vendit.
Kreu i ekzekutivit është shprehur se autostrada Prishtinë – Gjilan po shkon drejt përfundimit dhe se mbi 75% të punimeve deri në fshatin Bresalc janë finalizuar.
“Është ndarë buxheti për vazhdimin e saj deri te Dheu i Bardhë. Jemi të vetëdijshëm për vonesat, por edhe jemi të vendosur që puna të ecë e të përfundojë me cilësinë e duhur dhe sa më parë. Ndërkaq, tash së fundmi janë nënshkruar kontratat për fillimin e ndërtimit të rrugës me katër korsi Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Dollc, me një gjatësi 12.8 km, në vlerë prej 21 milionë euro. E kemi ndarë buxhetin për të vazhduar pastaj me segmentin nga Dollci e deri në Zahaq”, ka thënë tutje Kurti.
Sipas tij, kanë filluar procedurën e prokurimit për ndërtimin e rrugës nga dalja jug e autostradës në Prizren e deri në hyrje të tunelit të rrugës Prizren–Tetovë, si dhe ndërtimin e rrugës nga fshati Kërstec në komunën e Sharrit e deri në fshatin Zapod të Bashkisë së Kukësit.
Ai ka shtuar se janë afër përfundimit të urës në Drelaj dhe se janë nënshkruar kontratat për ndërtimin e urave në Badoc e Rogovë të Hasit.
“Ndërtuam e asfaltuam rrugë edhe në zona e fshatra në veri të Republikës, me të cilat, lidhëm fshatrat mes vete, si dhe me komuna në jug. Atje po ashtu për herë të parë po ndërtojmë e renovojmë dhjetëra shtëpi të banorëve shqiptarë që janë dëmtuar nga lufta e fundit në Kosovë. E pas 24 vjetëve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, hapëm e funksionalizuam Zyrat Kadastrale Komunale. Të gjitha këto janë bërë, ndërkohë që borxhin për shpronësime e kemi ulur për 86 milionë euro”, ka shtuar tutje kryeministri.
Më tej, ai ka theksuar se më herët mirëmbajtja e rrugëve ka kushtuar 57 milionë euro, por sipas tij, tani me kontratat që kanë nënshkruar, e kanë zbritur çmimin në 38 milionë euro.
“Përveç këtyre projekteve kemi trasuar udhën edhe për projekte të mëdha të Qeverisë sonë. Kemi nënshkruar marrëveshje me Maqedoninë e Veriut për rrugën Prizren-Tetovë, që do të kalojë mes përmes malit të Vërtopit. Kemi paraparë 200 milionë euro investime për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10, që do të mundësojë operimin e trenave me shpejtësi deri në 100km/orë në shumicën e seksioneve të linjës. Po punohet për rehabilitimin e linjave hekurudhore Fushë Kosovë-Klinë-Pejë me gjatësi 81 km dhe linjës Klinë-Prizren, me gjatësi prej 58 km. Kemi arritur në fazën e përgatitjes së projektit ideor për ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës, që na lidh edhe më shumë me Republikën e Shqipërisë dhe që i forcon edhe më tej ekonomitë tona”.
Tutje, ai ka potencuar se janë duke ndërtuar rrugë që ndërlidhin fshatra të Kosovës me Shqipërinë dhe se kanë bërë krejt çka duhet për rrugët që lidhin Pejën me Rozhajën dhe Deçanin me Plavë, për të cilat, kanë marrëveshje bashkëpunimi me Malin e Zi.