Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Forcat e armatosura të Kosovës po vazhdojnë ta dëshmojnë vlerën e tyre në skenën ndërkombëtare.
Ai ka thënë se ekipi i kërkim-shpëtimit i FSK-së që aktualisht vepron në Turqi, deri më tani ka shpëtuar tre persona të ngujuar nën rrënoja.
Kreu i ekzekutivit ka falënderuar pjesëtarët e FSK-së për punën që po bëjnë në kuadër të kërkim-shpëtimit.
“Forcat tona të armatosura vazhdojnë të dëshmojnë vlerën e tyre në skenën ndërkombëtare. Ekipi i kërkim-shpëtimit i FSK-së që aktualisht vepron në Turqi, deri më tani ka shpëtuar 3 persona të ngujuar nën rrënoja, duke përfshirë dy fëmijë. Vazhdoni punën tuaj për të shpëtuar jetë dhe faleminderit që e keni bërë vendin tuaj krenar”, shkroi ai.
Our armed forces continue to prove their worth on the int'l stage. The KSF search and rescue team currently operating in Turkey has thus far saved 3 people trapped under the rubble—including two children. Keep up your life-saving work, and thank you for making your country proud! pic.twitter.com/3TcYp1em37
— Albin Kurti (@albinkurti) February 13, 2023
Ndryshe, Komandanti Egzon Syla, i cili është udhëheqës i ekipit të kërkim-shpëtimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ka rrëfyer momentet kur kanë arritur t’i nxjerrin të gjallë nga rrënojat katër persona.
Në një linjë të drejtpërdrejt në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, teksa ka folur për shpresën, Syla ka thënë se të njëjtat ndonëse nuk janë shuar, megjithatë mbesin të vogla.
“Për fat të keq shpresat janë gjithmonë edhe më të vogla, kanë kaluar më shumë se 7 ditë, kohëve të fundit ka pak raste ku po shpëtojnë persona të gjallë për shkak se pas kaq shumë ditëve mund të gjenden në ato vende ku kanë mbetur në ndonjë hapësirë më të gjerë, ku kanë mundur të lëvizin të gjejnë ujë apo ushqim, mund të kenë ndonjë mrekulli nëse ka ndonjë rast përndryshe shpresat janë gjithnjë e më të vogla”, ka thënë ai.
Momente të mira, Syla i ka quajtur ato kur kanë arritur të shpëtojnë njerëz nga godinat e rrënuara në Hatay, zonë kjo e cila është një ndër më të prekurat nga tërmeti në Turqi.
“Në këto fatkeqësi, kanë qenë momente të mira kur ia kemi dalë. Kemi nxjerrë një vajzë 2 vjeçare dhe nënën e saj, ku nëna e ka pasur duke e ledhatuar fëmijën dhe duke e mbrojtur, ka qenë e vështirë të depërtohej, ishte ndoshta 7 a po 8 metra që është krijuar një kanal brenda ndërtesës në katin e parë ku ndërtesa ishte 7 kate. Në fillim kur kemi arritur pas 10 orëve kërkim që t’i shohim dhe t’i prekim nëna ka pasur kërkesë që ta nxjerrim fëmijën, fëmija ka filluar t’i shoh pjesëtarët tanë dhe ka filluar të qeshë, pas aq orëve në rrënoja”.
“Të nesërmen na kanë njoftuar ekipet turke që të dyja janë mirë”, ka thënë ai.
“Kemi arritur t’i nxjerrim të gjallë edhe dje 2 persona, këto kanë qenë në lokacione të ndryshme, edhe kjo vajza 13 vjeçare kur ka dalë ka filluar të buzëqesh, kanë qenë raste që na kanë prekur shumë por kur ia kemi dalë gjithmonë ka qenë vullneti hajde të punojmë edhe më shumë që ndoshta arrijmë të shpëtojmë edhe dikë”, shtoi Syla.
Kur pyetet se si është gjendja në zonën ku janë të angazhuar, Syla ka thënë se nuk është një gjendje e mirë.
“Gjendja nuk është e mirë, qyteti i Hatay ku jemi duke operuar është i shkatërruar komplet, shumica e ndërtesave janë të rrënuara por edhe ato që nuk janë rrënuar janë të pabanueshme. Popullata është larguar, ka edhe nga ata që po qëndrojnë në tenda ose edhe në rrugë, është një gjendje shumë e keqe. Puna jonë është të kërkojmë persona të gjallë dhe t’i shpëtojmë ata, nuk kemi marrë detyra tjera. Kemi edhe një ekip nja mjekësia e FSK-së që vazhdimisht na mbështet neve”.
Ai theksoi se si ekip janë të përqendruar te kërkim-shpëtimi i njerëzve që janë në jetë dhe gjenden ende në rrënoja.
Po ashtu, komandanti Syla ka potencuar se janë duke qëndruar në tenda, pavarësisht kohës.
“Me gjëra materiale po furnizon Turqia gjithandej, nuk ka problem me ushqime por me vendbanime po sepse ka vetëm tenda. Jemi duke ndenjur në tenda, koha nuk është e mirë por vullneti është i madh, jemi të angazhuar më shumë se një pikë”.