Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është ftuar për vizitë në Izrael nga drejtori ekzekutiv i Komitetit Amerikan-Hebraik, David Harris.
Kështu ka njoftuar zyra e kryeministrit përmes një komunikate për media, ku thuhet se në margjina të pjesëmarrjes në Tryezën vjetore të 26-të të organizuar nga prestigjiozja britanike The Economist, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi David Harris, Drejtor Ekzekutiv i Komitetit Amerikan-Hebraik (American Jewish Committee – AJC).
Gjatë këtij takimi, është diskutuar për zhvillmet në Kosovë, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit midis dy qeverive.
“Drejtori Ekzekutiv i Komitetit Amerikan-Hebraik e ftoi Kryeministrin Kurti për vizitë në Izrael”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, derisa është diskutuar për situatën gjeopolitike në rajon, janë theksuar përpjekjet e Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian.
Po ashtu, është diskutuar edhe për zhvillimet rajonale e globale pas invazionit dhe agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe ndikimin e pasojat në ekonomi.
Ndryshe, Izraeli dhe Kosova kishin vendosur marrëdhënie diplomatike më një shkurt 2021, ndërsa Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem, më 14 mars të po të njëjtit vit.
Hapja e kësaj ambasade rrjedh nga marrëveshja e katër shtatorit të vitit 2020 në Washington.
Ndërkohë, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli ishte pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.