Kenia ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës, duke e bërë këtë një moment historik për vendin tonë, kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Kurti ka bërë të ditur se ka biseduar me presidentin e Kenias, William Ruto.
“Pata kënaqësinë të flisja me Presidentin William Ruto pas këtij momenti historik. Ftuam njëri-tjetrin për vizita zyrtare dhe ramë dakord që hapi tjetër të jetë vendosja e marrëdhënieve diplomatike”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shtuar se e ka ftuar Kenian të hapë një ambasadë në Prishtinë dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Dy vendet tona ndajnë një histori sakrificash të mëdha për liri dhe pavarësi. Pres me padurim thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit tonë në kulturë, tregti dhe investime”, ka përfunduar ai.