Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka diskutuar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për të cilin Kurti ka thënë se ky proces do të përfundojë deri në fund të këtij viti.
Sipas tij, ky vendim vjen si rezultat i orientimit politik dhe vleror, sa i Qeverisë, ashtu edhe i qytetarëve të cilët mbështesin masivisht dhe plotësisht integrimin në BE.
“Sa i përket rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, kryeministri Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian para përfundimit të këtij viti”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Në këtë takim, kryeministri Kurti e ka njoftuar presidenten e Komisionit Evropian, Von der Leyen për avancimin që Kosova ka shënuar në indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, dhe për punën e qeverisë në reformën në drejtësi, përmbushjen e agjendës evropiane dhe për luftimin e krimit dhe korrupsionit.
“Ai veçoi të gjeturat dhe raportet ndërkombëtare që dëshmojnë për përparimin gradual por të vazhdueshëm të Republikës së Kosovës në shumë fusha. Duke përfshirë këtu Raportin e Vendit për vitin 2022, që ishte ndër më të mirët në rajon, dhe tash së fundmi raportin e Projektit të Drejtësisë Botërore (WJP) i cili përveçse rendit Kosovën si të parën në rajon për nga sundimi i ligjit, e rendit atë në vendin e dytë në botë si shteti me përmirësimin më të madh në këtë fushë”, vijon njoftimi.
Ndërkaq sa i përket liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti është shprehur se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se liberalizimi tashmë është më se meritor për qytetarët e Kosovës.
Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për krizën energjetike me të cilën po përballet i gjithë kontinenti evropian.
Në këtë takim u konfirmua ndihma e menjëhershme buxhetore prej 75 milionë eurosh për Kosovën në ballafaqimin me krizën energjetike.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe popullit të Kosovës, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për këtë mbështetje e cila do të ndihmojë drejtpërdrejt në minimizimin e efekteve të krizës energjetike te qytetarët tanë”.
Pas takimit, Kurti dhe Von der Leyen vizituan së bashku objektin e Fakultetit të Arkitekturës.