Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Gjermaninë me rastin e shënimit të ditës së unitetit që shënohet në kujtim të bashkimit të Gjermanisë.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar për procesin e bashkimit të këtij shteti, ku ka thënë se që nga atëherë Gjermania ka qenë “boshti i ruajtjes së një Evrope të bashkuar”.
“Gjermania ka qenë boshti i ruajtjes së një Evrope të bashkuar brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian. Gjermania e bashkuar është kthyer në garancën kryesore të paqes botërore mes vendeve evropiane, si atëherë kur i është bashkuar ndërhyrjes së NATO-s gjatë luftës në Kosovë më 1999, deri sot kur po i kontribuon rezistencës në Ukrainë”, ka shkruar ai.
Kryeministri ka vlerësuar rolin e Gjermanisë në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke thënë se ky shtet është adresa kyçe e Kosovës për anëtarësim në BE.
“Gjermania e ka mbështetur në vazhdimësi Kosovën në shumë fusha si dhe në rrugëtimet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ushtarët gjermanë që janë pjesëtarë të KFOR-it në Kosovë, kontribuojnë çdo ditë në ruajtjen e paqes në vendin tonë. Gjermania është vendi me diasporën më të madhe shqiptare nga Kosova. Gjermania është vendi i kthyer në shtëpi të sigurtë për afër gjysmë milioni bashkatdhetarë të cilët në tre dekadat e fundit, kanë luajtur një rol kyç në jetën dhe zhvillimet sociale dhe politike në Kosovë. Republika Federale e Gjermanisë është adresa kyçe e Republikës së Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar Kurti.