Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sot ka më shumë siguri dhe qetësi në katër komunat në veri të Kosovës, duke theksuar se banorët serbë atje janë më të lirë të vendosin vetë.
Pasi, sipas Kurtit, grupet kriminale që i terrorizonin banorët e këtyre komunave, tani skutën e kanë diku në Serbi.
“E teksa po hapim rrugë të reja që rrisin lëvizjen dhe nxisnin shkëmbimet, kemi mbyllur shumë rrugë ilegale që shfrytëzoheshin për kontrabandë, trafikim e kalim të paligjshëm të kufirit. Gjithsej, 34 sosh, prej tyre 36 vetëm në veri të vendit. Atje nga policia e jonë u shkatërruan edhe 9 laboratorë të drogës nga 16 gjithsej gjithandej territorit dhe 16 laboratorë të prodhimit të kriptovalutave. Sot në katër komunat në veri ka më shumë siguri dhe qetësi për qytetarët tanë, po asfaltohen rrugët e po ndërtohen shtëpitë e reja, përfshirë edhe të banorëve shqiptarë të cilëve prona u ishte dëmtuar gjatë luftës, bashkëqytetarëve tanë serbë tani janë më të lirë të vendosin vet, sepse grupet kriminale që dikur terrorizonin banorët e tyre komunave, tani skutën e kanë diku tjetër, po nëpër Serbi”, ka thënë Kurti.
Kështu, për shkak të kësaj sigurie dhe qetësie, Kurti ka theksuar se qytetarët serbë janë më të interesuar për dokumentet e Republikës së Kosovës.
Ai bëri të ditur se deri më tani, gjatë muajit nëntor janë bërë mbi 2 mijë konvertime të targave nga ato ilegale në RKS.
“Andaj edhe kohë të fundit po shohim një interesim të lartë për t’u pajisur me dokumente të RKS-së. Vetëm këtë muaj deri dje janë mbi 2 mijë konvertime të targave në RKS, në të të njëjtën kohë interesimi për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës është rritur”, ka shtuar Kurti.