Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtii ka bërë thirrje mërgatës që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë.
Përmes një video-mesazhi në Facebook, Kurti ka thënë se mërgata është pjesë e pandashme e Kosovës.
“Mërgata është pjesë e pandashme e kombit tonë, andaj ju ftoj që të regjistroheni secili dhe secila prej jush”, vijoi Kurti.
Kurti tha se duke u regjistruar si qytetar jorezident është mundësi për të “forcuar lidhjen” me atdheun.
“Procesi i regjistrimit si qytetarë jo rezident të Republikës së Kosovës është mundësia juaj për të forcuar lidhjen me atdheun. Duke u regjistruar, ju bëheni pjesë aktive e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës dhe të vetë mërgatës.Përdorni të drejtën tuaj kushtetuese dhe regjistrohuni online përmes platformës e-diaspora deri më 31 gusht 2024”, vijoi Kurti.
E për procesin e regjistrimit, Kurti ka thënë se regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë por me ndikim të madh.
“E krahas platformës e-diaspora, ju mund të informoheni dhe sipas nevojës edhe të ndihmoheni për t’u regjistruar, në objektet e komunave rajonale të Kosovës, nga zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh. Të dhënat tuaja do të ndihmojnë në krijimin e politikave që mbështesin mërgatën, përmirësojnë shërbimet, si dhe forcojnë lidhjet kulturore dhe arsimore me atdheun”, vijoi Kurti.