Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas sulmit me granatë dore në objektin e komunës së Mitrovicës së Veriut, i ka bërë thirrje Serbisë “që menjëherë t’i ndalë nxitjet për dhunë para se të ketë humbje jete”.
Ai në një postim në Twitter ka shkruar se asnjë person nuk është lënduar, por siç theksoi ai, do të mund të kishte lëndime.
“Mbrëmë ndërtesa e komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me 2 granata dore, duke shkaktuar dëme në veturat që ndodheshin afër. Fatmirësisht asnjë person nuk u lëndua, por mund të kishte ndodhur lehtësisht. I bëj thirrje Serbisë që menjëherë të ndalë nxitjet për dhunë para se të ketë humbje jete”, ka shkruar ai.
Last night the municipal building in N. Mitrovica was attacked by 2 hand grenades, causing damage to nearby cars. Fortunately, no person was harmed, but that could have easily been the case. I call on Serbia immediately to cease its incitements to violence before lives are lost.
— Albin Kurti (@albinkurti) June 27, 2023
Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar se në orët e vona të së hënës, ndërtesa e komunës në Mitrovicë të Veriut është sulmuar me mjete shpërthyese.
Lënda shpërthyese dyshohet të jetë granatë dore, e cila ka shkaktuar dëme materiale në veturat zyrtare.
Policia ka thënë se në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti “kryerja e veprës terroriste”.
MPB-ja për sulmin me granatë dore në Mitrovicën e Veriut: Serbia po tenton ta eskalojë situatën
Ditë më parë është raportuar edhe për sulme me shok-bomba afër stacioneve policore në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, komuna në veri të Kosovës.
Tensionet atje janë rritur prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, të Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.