Kurti i drejtohet BE-së për diskriminimin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar një letër përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, ku denoncoi shtypjen e vazhdueshme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga regjimi serb

Kurti theksoi se diskriminimi ndaj shqiptarëve në Serbi përfshin aspekte të ndryshme, duke rrezikuar jo vetëm sigurinë e tyre, por edhe ekzistencën e tyre si komb.

“Përmes një letre drejtuar Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, e kam informuar dhe kam denoncuar shtypjen e vazhdueshme të regjimit serb e Beogradit zyrtar ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Shkelja e të drejtave të njeriut është e llojit politik, administrativ, ekonomik, kulturor e identitar, duke rrezikuar sigurinë dhe ekzistencën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Gjersa në Kosovë komuniteti serb gëzon të drejta e liri, e një shtet që po i integron në sferat shoqërore, shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen çdo ditë me diskriminim sistematik, pasivizim të adresave e spastrim etnik administrativ. Shqiptarët në Serbi janë të papërfaqësuar në institucione publike e ato shëndetësore e juridike, nuk iu ofrohen shërbimet të cilat iu takojnë, iu mohohet arsimimi në gjuhën e tyre, nuk iu njihen diplomat e nuk kanë të drejta e as liri themelore.

Mbi 10 për qind e qytetarëve shqiptarë janë fshirë nga listat e votuesve e nuk mund të ushtrojnë të drejtën themelore të votës. 30 deri në 70 për qind është niveli i papunësisë në zonat e banuara me shqiptarë, shumë herë më e lartë se mesatarja e vendit prej 12 për qind. Spitali rajonal në Vranjë nga mbi 1000 punëtorë i ka veç dy shqiptarë e në Medvegjë nga rreth 2000 punonjës komunalë veç 12 janë shqiptarë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti bëri thirrje për një reagim të shpejtë nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se aktet dhe veprimet e Serbisë janë në kundërshtim me parimet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

“Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve përkrahet nga shteti atje. Simbolet kombëtare janë rreptësisht të ndaluara bashkë me shprehjen kulturore e artistike. S’ka integrim por terrorizim. Komuniteti i shqiptarëve nuk integrohet, por Beogradi tenton ta frikësojë. I kanë ngritur bazat ushtarake në Bujanoc, e cila është edhe ndër më të mëdhatë në vend, si dhe i kanë vendosur 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, specifikisht në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Caktimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga qeveria serbe përbën gjithashtu një kërcënim të madh për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke rrezikuar shpërnguljen masive dhe përsëritjen e traumave të së kaluarës.

Represioni i vazhdueshëm dhe sistematik i komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës qëndron në kundërshtim me vlerat evropiane e demokratike. Aktet e veprimet e Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës janë antiteza e parimeve të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit dhe kërkon reagim e veprim urgjent nga Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare”, ka shtuar Kurti.

Shija e redaktorit

Nora Gjakova fiton medaljen e bronztë në Paris

Nora Gjakova e ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit, që është e treta nga Franca për Kosovën. Gjakova e fitoi duelin...

Distria e fiton medaljen e bronzt në Grand Slamin e...

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin e xhudos që po mbahet në Paris. Xhudistja kosovare fitoi me waz-ari ndaj xhudistet nga...

Shkruan Romeo Çollaku, përkthyesi i romanit “Lugina e lumit Issa”...

Përkthyesi i librit, Romeo Çollaku, ndan me lexuesit historinë e “Lugina e lumit Issa” shkruar nga autori polak Czesław Miłosz. Nga ROMEO ÇOLLAKU Romani Lugina e lumit...

Të fundit nga rubrika