Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë e tij për takimin e nivelit të lartë në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, dhe se pret rezultate konkrete nga ky takim.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se në këtë takim do të diskutohet se si marrëveshja e Ohrit në mes të Kosovës dhe Serbisë do të zbatohet pa vonesa.
“Gjithmonë jam gati për takimet e nivelit të lartë. Takimi i radhës do të mbahet në Bruksel. Duhet të diskutohet se si edhe marrëveshje e Brukselit dhe marrëveshja e Ohrit do të zbatohen pa vonesa e në plotëni”, ka thënë Kurti.
Kurti këto komente i bëri në një deklarim për media pas ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjeve të Mirëkuptimit për nisjen e aktivitetit të mbështetur nga USAID-i, të partneritetit me sektorin privat për forcimin e arsimit të lartë.
Ndryshe, në takimin e radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që do mbahet më 2 maj në Bruksel, do të jetë pjesë e agjendës edhe draft-statuti i parë i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Kështu ka bërë të ditur i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.