Ramush Haradinaj e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti se “Pse kur të tjerët e bëjnë dhe jetojnë më realitet në minimum për të nxjerrë maksimumin, është tradhti kombëtare, e pse kur e bëni ju nuk është”.
Këtë pyetje Haradinaj e bëri si reagim ndaj marrëveshjes së arritur në Bruksel për faturimin e energjisë elektrike në katër komunat serbe.
Në përgjigje ndaj tij, kryeministri Kurti e ka pranuar që marrëveshjet e 2013-tës dhe 15-tës, kanë qenë jo të mira, por që sipas tij, kanë qenë të detyruar që ta zbatojnë dhe ta nënshkruajnë në vitin 2022.
Ai ka thënë se, Qeveria e Kosovës i ka duart me baltë sepse e kanë gjetur Kosovën në baltë.
“E kemi të trashëguar këtë gjendje, a ka qenë ndonjë marrëveshje tradhti, po ka qenë, ky është realiteti. A i kemi duart me baltë sepse Kosovën e kemi gjetur në baltë, ama ndërgjegjen e kemi të pastër, duart janë përlyer sepse Kosovën e kemi gjetur në baltë”, ka thënë Kurti.
Ai ka ripërsëritur qëndrimin e tij se marrëveshjet e dëmshme dhe shumë probleme të tjera i ka trashëguar dhe tash duhet t’i respektojë ato.