Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se çdo opsion tjetër i veprimeve të ndërmarra policore gjatë së premtes në veri do të ishte në mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të komunave në veri dhe jo vetëm.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do të duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Ai ka thënë se mbetet i vetëdijshëm mbi shqetësimet e ngritura nga faktorët ndërkombëtarë.
“Pas betimit të tyre të enjten, dje, tre kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në veri të Kosovës, e kanë pasur ditën e parë të punës. Shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër. Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mospërmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, ka shkruar Kurti.
Tutje, ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, në veçanti atyre serbë, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj.
“Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”, ka shkruar Kurti.
Ai ka falënderuar Policinë e Kosovës për angazhimin e tyre, gjersa ka theksuar se rrugët në veri të vendit janë që të gjitha të hapura dhe të qarkullueshme për qytetarët.
“Dëshiroj të falenderoj pjesëtarët e Policisë së Republikës së Kosovës për qëndrimin e tyre profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit. Ata, siç dëshmojnë çdo ditë, e dëshmuan edhe dje, që janë të gatshëm për t’i shërbyer rendit, ligjit e Republikës si profesionistë, të patrembur e dinjitozë, në afirmimin e një ambienti multi-etnik të sigurisë, pavarësisht kushteve të rënda që shkaktuan grupet e menaxhuara nga struktura parapolitike në atë pjesë të vendit. Rendi dhe ligji, demokracia dhe lëvizja e lirë, siguria dhe paqja, mund dhe duhet të ecin krah për krah. Për këto angazhohemi çdo ditë dhe në përpikëri. Rrugët në veri janë që të gjitha të hapura e të qarkullueshme për qytetarët. Komunat dhe kryetarët duhet të punojnë shumë sepse kemi shumë punë për të bërë për qytetarët”, ka shkruar Kurti.
Ishte të premten dita kur kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, një ditë pas betimit të tyre, u futën në zyrat e tyre në komuna, nën shoqërimin e Policisë së Kosovës.
Një masë e tillë erdhi pasi banorët lokalë serbë kundërshtuan shkuarjen e tyre aty, në zyrat që dikur përdoreshin nga zyrtarë serbë.
Nën tensionet e situatës, protestuesit hodhën gurë, dogjën veturat e Policisë së Kosovës e njëherit, gjatë grumbullimit të tyre u dëgjuan të shtëna armësh. Këto veprime të tyre detyruan Policinë që të përdorte gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit.