Këtë të diel iu dha lamtumira e fundit ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Behgjet Hetemit, vëllait të kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Në ceremoninë e varrimit në Bistricë, fjalimin e mbajti vajza e tij, Kosovarja, e cila shërben si ushtare në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në varrim ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Pas dy muajve do të mbushte 60 vjeç. Katër vjet e gjysmë ishte i burgosur në Zajeçar të Serbisë në vitet ‘80. Në fshatin e tij të lindjes në Bistricë të Leposaviqit, të cilin nuk e braktisi kurrë, ai dhe familja e tij u përballën me dhunë të pamëshirshme. Në vitin 1992, bashkë me babain dhe vëllain, u rrahën për vdekje nga policia serbe. Gjatë luftës çlirimtare, Behgjeti iu bashkua Zonës Operative të Shalës në radhët e UÇK-së, ndërsa vëllai i tij, Bashkimi, dhe motra dëshmore, Fatimja, u mobilizuan në Zonën Operative të Drenicës në Likoc”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri Kurti theksoi kontributin e jashtëzakonshëm të Behgjet Hetemit për lirinë dhe qëndresën shqiptare në veri të Kosovës.
“Behgjet Hetemin do ta kujtojmë si një ndër kontribuuesit më të rëndësishëm në qëndresën e shqiptarëve në veri të Republikës. Jemi të pikëlluar që na la, por krenarë për jetën dhe veprën e tij. Për vite me radhë ishte një mbështetës i çmuar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe nga viti 2021 kontribuoi në politikën e Qeverisë për kthimin dhe rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në komunat veriore, veçanërisht në Bistricë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Behgjet Hetemi u nda nga jeta pas një beteje me kancerin në mushkëri.