I pari i Qeverisë, Albin Kurti, ka mbajtur një takim me gazetarët që kanë përcjellë punën e Qeverisë dhe kanë raportuar nga katër komunat në veri të vendit.
E ndër të tjera, Kurti gjatë fjalimit të tij ka ironizuar me opozitën.
“Opozita në anën tjetër ka shumë kohë të lirë, ndërsa po dëgjoj që as ata nuk po dalin edhe aq shpesh në emisione, e mbase kjo ia vlen të studiohet se çka po bëjnë në kohën e lirë”, ka thënë Kurti, gjersa po arsyetonte paraqitjen e pakët mediale të tij dhe ministrave të tij.
“Mbase jeni duke menduar për ndonjë kritikë a sugjerim, që përherë janë të mirëseardhura. Ajo që shpesh e dëgjoj është ‘pse nuk po dilni më shpesh në intervista’. Ne po bëjmë maksimumin që të jemi të pranishëm gjithandej, edhe në studiot e juaja, atëherë kur mundemi në emisione, por puna po vijon me ritme të larta, e shpeshherë na e pamundëson diçka të tillë. Por, si kryeministër i Republikës së Kosovës, kam qenë shumë i interesuar gjatë këtyre edhe pak tri viteve, që sa më shumë ministrat të jenë në ballë të detyrës për fushëveprimtari të tyre, e unë si kryeministër të jem i pari i ministrave që më shumë bashkërendon sesa që zëvendëson ata”, ka theksua Kurti.