Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka qenë i gatshëm që vetë ta shkruajë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por që nuk u lejua nga Bashkimi Evropian (BE).
Sipas tij, BE-ja nuk ka pranuar që ai ta shkruajë, pasi këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues, si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme.
“Në takimin e Ohrit kam pranuar që draft-statutin ta shkruaj unë, por me ato tri shtyllat parimore që duhet pranuar parimisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua m’u tha nga ndërmjetësit që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues, si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit para një dekade”, ka thënë Kurti.
“Nuk ka anëtar të grupit punues nga ana jonë. Unë e kam zëvendësin tim, i cili në portofolin e tij, është përgjegjës për integrimet evropiane. I përket ekipit menaxhues që të shfaqet, por ministri Elbert Krasniqi i ka bërë ftesë për takim atyre, por që nuk kanë pranuar”, ka vijuar ai.
Kurti tha se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve me Serbinë duhet të zbatohet sa më shpejt, por Beogradi, sipas tij, nuk ka gatishmëri për ta zbatuar atë.
“Marrëveshja e 27 shkurtit, që është propozim i BE-së me iniciativën e Francës dhe Gjermanisë, dhe më pas aneksi implementues që u bë pjesë integrale nga takimi i Ohrit i 18 marsit, duhet të zbatohen në plotni dhe sa më parë. Pra, teksti është i qartë, ai do zbatim. Është për të ardhur keq që pala tjetër ka thënë që do të bëjë zbatim të pjesshëm, që është një mënyrë tjetër për të thënë që nuk do të bëjë zbatim”.
Ndërsa, për takimin e 2 majit në Bruksel, tha se i mbetet BE-së që të përcaktojë agjendën, derisa edhe bëri të ditur se në fundjavë do të takohet me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
“Pra, tash i përket ndërmjetësit që ta përcaktojë agjendën e takimit të datës 2 maj, ndërkaq unë do ta takoj në një konferencë ndërmjetësin Lajçak”, tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit foli edhe për zgjedhjet në veri.
“Ne kemi bërë fushatë vazhdimisht. Unë kam pasur takime, e fushata është zhvilluar nga kandidatët për kryetarë të komunave atje. Mirëpo fushatë më të egër kundër serbëve të Kosovës moti nuk ka pasur e udhëhequr e financuar nga Beogradi dhe ekzekutuar nga elemente kriminale”, tha Kurti./EO