Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do ta mbrojë asnjë anëtar të Qeverisë së Kosovës, nëse e shkelin ligjin.
“Janë afër 200 prokurorë 400 gjykatës unë jam kryeministër që nuk e kam numrin e asnjërit prej tyre, edhe çfarëdo pretendimi për korrupsion në institucione, një gjë ju garantoj, kurrë nuk do ta ketë mbështetjen e kryeministrit sa të jem unë ai, nuk ka mbështetje as mburojë”, ka deklaruar Kurti.
Ai e ka kritikuar opozitën që, sipas tij, në kohën sa kanë qenë në pushtet e kanë kontrolluar shtetin në mënyrë të jashtëligjshme.
“Ju posa e shpjeguat pse disa gjëra nuk janë kryer në të kaluarën, sepse ju e keni pasur logjikën e shtetit parti dhe partisë shtet, unë subjektin tim nuk e përmenda, këtë e kanë bërë zyrtarët e shtetit, pra shteti i përbashkët i ka arritur këto”, ka thënë Kurti.
“Ne e kemi çliruar shtetin për t’i bërë këto veprime, sepse më herët e ka dirigjuar partia, partia ka thënë bën ka thënë s’bën, ka thënë a e kemi njeriun tonë, jo për shkak të cilësisë po a është i afërt”, ka vijuar Kurti.
Kryeministri i Kosovës ka theksuar se nuk është i kënaqur me sistemin gjyqësor në Kosovë, sipas tij për këtë arsye do ta bëjnë vettingun.
Ky reagim i Kurtit erdhi pas fjalimit të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se asnjë parti në Kosovë nuk ka bërë më shumë për veriun sesa PDK-ja.
“Asnjë parti nuk ka punuar më shumë për veriun se PDK-ja. Çfarë po thua i nderuar Albin që me këtë logjikë, pse nuk është bërë apo ajo deri më tani. Ka disa punë që i kryen një qeveri e të tjerat duhet të vazhdojnë që sovraniteti të jetë në tërë shtetin”, ka deklaruar Haxhiu.
“Dua t’ia rikujtoj kryeministrit se asnjë parti deri më sot nuk ka punuar më shumë për veriun dhe për shtrirjen e sovranitetit se PDK, nga viti 2008 e deri më tani. Për herë të parë ka rifilluar kthimi i shqiptarëve pas vitit 2008″, ka vijuar ai.