Oferta e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për vetëmenaxhim të serbëve të Kosovës që është refuzuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është diskutuar edhe të mërkurën.
Kurti është pyetur nga gazetarët se çfarë në tërësi përmbante kjo ofertë e tij siç e ka quajtur Kurti “bujare”.
Kreu i Qeverisë ka thënë se këtë ofertë e ka bërë teksa ka kërkuar nga Vuçiq të pranojë tri shtylla bazike por që kishte një refuzim të ashpër të kësaj oferte nga Vuçiq.
“Unë kam bërë një ofertë, të pranojë tri shtylla bazike, kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetutese të publikuar më 23 dhjetor 2015, në anën tjetër një qëndrim të Brukselit dhe Washingtonit. Kishte refuzim të ashpër të ofertës time bujare”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, nuk ka pasur dakordim që të përfillen këto tri shtylla, si kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, qëndrimi i Washintgtonit zyrtar dhe qëndrimi i Brukselit zyrtar.
“Nuk ka pasur dakordim që të përfillen këto tri shtylla, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, qëndrimi i Washintgtonit zyrtar, qëndrimi i Brukselit zyrtar. Këtë ua kam thënë në pasditen e hershme të 18 marsit në takimin trilateral, jo vetëm që u refuzua, po u tha se nuk kemi çfarë të diskutojmë më tutje”, ka vijuar Kurti.
“Ishte një refuzim i ashpër i ofertës, ofertë gjeneroze, parimore, do të merrja barrën që të nesërmen në mëngjes, që ta zbatoja atë që kemi sjellë në tavolinë. Nuk mund të sjell propozim pa u pranuar premisa. Nuk mund të sjell përmbajtje kur refuzohen parimet”.
Kurti është pyetur nga gazetarët edhe për marrëveshjet me Serbinë dhe moszbatimin e tyre nga Serbia.
“Të gjitha marrëveshjet janë grumbull i madh i trashëguar e mbi 2/3 nuk i zbaton Serbia”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë shefi i ekzekutivit është pyetur nga gazetarët edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri që parashihet të mbahen më 23 prill.
Kurti u ka bërë thirrje të gjithëve për aplikim në zgjedhjet në komunat veriore.
“I ftoj të gjithë kandidatët politikë të cilët dëshirojnë të angazhohen në vendin tonë që ta shfrytëzojnë ditën e fundit për kandidim përmes aplikimit për zgjedhjet e 23 prillit. Shumë me rëndësi që të gjithë ata që dëshirojnë të përfaqësojnë politikisht interesat e qytetarëve për të aplikuar. Unë nuk kam bërë thirrje për kthim në institucione, por kam bërë për aplikiim të ri për të gjithë ata që janë të interesuar jo vetëm në politikë por edhe shërbim publik, të gjithë serbët e kanë të drejtë si qytetarët e Kosovës”, ka thënë Kurti.
“Atij që e hedhi uniformën e Kosovës nuk i kthem kthehu dot”, ka vijuar Kurti teksa ka thënë se me informatat që ka nga Ministria e Punëve të Brendshme aplikimi i serbëve në institucionet e Kosovës këtë kohë vetëm po vjen duke u rritur.