Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 26 vjetorin e rënies heroike të Fehmi e Xhevë Lladrovcit ka thënë se jeta e tyre ka qenë lavd për dashurinë e për lirinë e Kosovës.
Kurti përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se Fehmiu e Xhevë Lladrovci kanë vdekur për atë që jetuan, “për lirinë e Kosovës”. Kurti ka shtuar se ata kanë qenë “një çift i kulluar” dhe se siç e shikonin njëri-tjetrin në sy me plot dashuri ata u bënë bashkë edhe për lirinë e Kosovës.
“Jeta e tyre ishte lavd për dashurinë; lavd për dashurinë për lirinë; lavd për dashurinë për lirinë e Kosovës. Lavdi Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqit – Lladrovcit, të rënë heroikisht, këtu e 26 vjet më parë! Ata të dy vdiqën për atë që jetuan: për lirinë e Kosovës. Vdekja e tyre ishte një rënie e njëhershme, ashtu siç jeta e tyre ishte një vepër e përbashkët, kryevepër për dashurinë dhe lirinë. Fehmi Lladrovci (1956) nga Gllanasella e Drenasit dhe Xhevë Krasniqi (1955) nga Drenoci i Malishevës ishin një çift i kulluar, që ashtu siç e shikonin njëri-tjetrin në sy me plot dashuri, bashkë shikonin drejt një synimi, lirisë së Kosovës. Ashtu siç e ka titulluar Fehmiu letrën e tij nga burgu për Xhevën, “DRITA E SYTRIT TIM XHEVË!”, ku ndër tjera ai i ka shkruar Xhevës: “Të përshëndes e të përqafoi nga larg SHPIRTI IM XHEVË! TË DUA SHUMË XHEVË”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka shkruar edhe për rënien heroike edhe të Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka.
“Më 22 shtator të vitit 1998, gjatë luftimesh me forcat armike serbe në Gradinë, Fehmiu dhe Xheva ranë dëshmorë me dy nga bashkëluftëtarë të tyre, Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka, ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Fatime Hetemi ishte një vajzë me prejardhje nga Bistrica e Shalës së Mitrovicës, e cila qysh në javët e para të luftës në Kosovë, u mobilizua duke e veshur uniformën e UÇK-së, siç shihet në një fotografi bashkë me Xhevën, mbushur me pamje guximi dhe vendosmërie|, shkroi Kurti.
Kurti ka thënë se heroi Shefqet Zeka një muaj pa rënë dëshmor ka shkruar se “Liria dhe Pavarësia janë më të shtrenjtë se jeta”.
“I sapo bërë 21-vjeçar, Shefqet Zeka (1977) nga Prishtina, ra atë ditë të martë duke luftuar bashkë me Fatimen, me Xhevën dhe me Fehmiun. Në një letër të shkruar me dorë prej tij rreth një muaj më parë, më 26 gusht 1998, Shefqeti ndër të tjera thoshte: “Kosova digjet flakë, Kosova gjëmon nga artileria e pushtuesit serb, Kosova masakrohet në mënyrën më barbare nga kriminelët serbë. Kosova para etnocidit. Kosova i mbush fushat me varre, rrugët me gjak shqiptari. Liria dhe Pavarësia janë më të shtrenjtë se jeta!” Këto konstatime dhe këto fraza aq të qarta politike të shkruara nga Shefqeti, janë dëshmi e shkruar e bindjeve dhe idealeve politike të tij që e shtynë drejt angazhimit për lirinë e Kosovës, me jetën e tij deri në vdekje”, ka shkruar Kurti.
Kurti në fund shkroi se “Lavdi luftëtarëve dëshmorë Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi – Lladrovci, Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka, mes dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!”.