Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje qytetarëve në veçanti komunitetit serbë që në ditët në vijim të jenë të vëmendshëm e të vetëpërmbajtur nga aktet e dhunës të inskenuara e dashakeqe që sipas tij mund të vijnë nga ana e Serbisë.
Ai ka thënë se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës “së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave kriminale të Serbisë në Kosovës”.
Sipas tij, qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës.
“Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim tavan, nuk do të zgjedhin mjet, fatkeqësisht mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia në njërën anë duke i trajtuar ata si heronj dhe martirë dhe në anën tjetër duke intensifikuar aktivitet e ushtrisë përgjatë kufirit me Republikën tonë vetëm sa i ka inkurajuar”, tha Kurti.
“Jemi 18 ditë pas sulmit paramilitarë, terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit. Shumëçka është ndryshe prej asaj të diele, gjithçka do të ishte ndryshe nëse grupi terrorist dhe planet e tyre për aneksim të katër komunave në veri të vendit nuk do të neutralizoheshin që në aktin e parë. Ata dështuan dhe kjo i ka bërë shumë të dëshpëruar”.
Dokumentimi para syve të botës i përfshirjes së të paktën katër shtresave të shtetit serb, përkatësisht siç thotë kreu i ekzekutivit, presidencës, shërbimit të inteligjencës, ministrisë së mbrojtjes dhe ushtrisë serbe në frymëzimin, përgatitjen, furnizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist janë motiv shtesë për skenarë të tjerë destabilizues.
“Lirimi i Rajodçiqit më pak se 24 orë pas arrestimit është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje sepse më 24 shtator Beogradi zyrtar e militarë dështoi. Provuan të ndryshojnë realitetin në terren, nuk ia arritën, keqpërdorën manastirin e Banjskës me synimin që t’i japin ngjyrim fetar nuk ia arritën, tani formacione kriminale të sponzoruar nga fqinji ynë verior në skenarët e tyre destabilizues ka shumë të ngjarë që dallimet etnike synojnë t’i keqpërdorin për qëllime politike”.
“Për rastësi javën që lamë pas shënoi 23 vjetorin e rrëzimit të regjimit të Millosheviqit e për fat të keq 23 pas pesë tetorit regjimi aktual i Serbisë asnjëherë më parë nuk i ka ngjarë më shumë se sot regjimit të Millosheviqit. Iu bëj thirrje juve bashkëqytetarë serbë që në ditët, javët e muajt në vijim të jeni vëmendshëm dhe vetëpërmbajtur nga aktet e dhunës të inskenuara e dashakeqe”.
Kurti thekson se ata që po duan “të na rrënojnë”, nuk do t’ia dalin sepse “jemi të përgatitur, jemi bashkë me motiv të lartë dhe qëllime fisnike për paqe e siguri, për të drejta dhe demokraci”.
“Kosova është shteti sigurt, ka shkallën më të ultë të kriminalitetit në mesin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor”.