Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga Parlamenti i Kosovës në fjalën e tij drejtuar dy kuvendeve tha se agresioni i Rusisë në Ukrainë, rindezja e konflikteve në Lindjen e Mesme, sulmet terroriste ndaj Kosovës, ai në Banjskë e në kanalin e ujësjellësit në Ibër-Lepenc që e kanë bërë urgjente anëtarësimin në NATO.
“Sulmet terroriste ndaj Kosovës ai në Banjskë e ky i fundit në kanalin e ujësjellësit në Ibër-Lepenc që vijnë nga e njëjta adresë, nga Serbia, e nëse nuk është Serbia është edhe Serbia edhe Rusia bashkë, e kanë bërë këtë çështje urgjente, pra anëtarësimin në NATO”. Ai tha se si asnjëherë më parë kanës shtrirë sovranitetin në veri e sipas tij sulmet terroriste sporadike, të paramilitarëve të orkestruar e financuar nga Serbia, sipas tij janë shprehje e pafuqisë së tyre.
“Dikur nuk kanë bërë akte terroriste sepse e kishin krejt nën kontroll, tash që e kanë humbur kontrollin bëjnë akte terroriste, por ky është fundi i tyre. Aktet e tyre terroriste janë dëshpërimi i tyre, janë fundi i sundimit të tyre”, tha tutje ai.
Tutje kreu qeveritar tha se Kosova nuk ka qenë asnjëherë më e fortë ushtarakisht. Sipas tij, investimet në vitet 2021-2023 arritën mbi 239 milion euro nga 4 milion sa ishin në vitet 2018-2020.
“NATO është në Kosovë, Kosova nuk është ende në NATO, mirëpo Kosova po bën hapa gjigant drejt NATO-s. NATO-ja nuk ka armatim të vetin, e ka vetëm armatimin e shteteve anëtare. Për dallim nga viti 2018-2020 kur kishim më pak se 4 milion investim në armatim, në vitet 2021-2023 kemi mbi 239 milion euro investim në armatim e në municion. Pra, ne nuk duhet të anëtarësohemi në NATO pse nuk jemi mjaftueshëm të fortë, por do të anëtarësohemi sepse do të bëhemi gjithnjë e më të fortë dhe nga NATO të përfitojmë sepse do të kontribuojmë”, tha ai.
Tutje kryeministri foli edhe për arritjet e përbashkëta, tha se Shqipëria është ndër 5 vendet e para që ka vëllimet më mëdha të shkëmbimeve tregtare dhe partneri kryesor i Kosovës për vitin 2023 me vlerën 440 milion euro. Tha se janë të vetëdijshëm se nuk u lejohet mburrja dhe vetëkënaqësia për arritjet sepse tha se kanë shumë punë për të bërë jo vetëm për qytetarët që u takojnë të dyja shteteve, por për gjithë shqiptarët që jetojnë në shtetet fqinje. Ai tha se shqiptarët në Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë.
Kurti: Kemi ndarë 4 milionë euro për Luginën – uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për Shqipërinë
Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, ka thënë se të dyja shtetet kanë shumë punë për të bërë për të lehtësuar bashkëpunimet e natyrshme midis qytetarëve të të dyja shteteve.
Ai ka përmendur edhe poetin shqiptar Primo Shllaku me thënien e tij se “Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë është si kufiri mes dy barkusheve të zemrës”.
“Kuvendet kanë rol të rëndësishëm për miratimin e marrëveshjeve dy palëshe dhe po ashtu edhe për monitorimin e zbatimit tyre. Komisionet e përbashkëta parlamentare të ngritura enkas për marrëdhëniet dhe marrëveshjet mes dy shteteve besoj se do të ndihmonin në këtë drejtim”, ka thënë Kurti.
I pari i ekzekutivit kosovar tha ndarja e 4 milionë eurove të buxhetit të Kosovës për Luginën e Preshevës duhet të jetë shembull edhe për Shqipërisë.
“Kemi punë përpara për të bërë jo vetëm për qytetarët tanë, por edhe për ndihmuar për sigurinë dhe jetesën e dinjitetshme të shqiptarëve në shtetet fqinje në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, si dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës në Serbi. Shqiptarët në Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë, andaj ata kërkojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës”.
“Shqiptarët nuk janë fajtorë që janë autoktonë. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si Qeveri e Kosovës katër milionë euro për Luginën e Preshevës. Uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për Shqipërinë”, ka thënë Kurti.