Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar përgjegjësi ndaj KFOR-it, në lidhje me kidnapimin e tre zyrtarëve policorë nga xhandarmëria e Serbisë.
Ai ka thënë se KFOR-i nuk duhet të heshtë ndaj hyrjes në territor të Kosovës, nga ushtria speciale e Serbisë.
Po ashtu, sipas Kurtit, me hyrjen e Ushtrisë së Serbisë në Kosovë, është shkelur marrëveshja e Kumanovës.
Kurti ka thënë se pret nga ta që ta urdhërojnë Serbinë që menjëherë t’i lirojnë policët e Kosovës, teksa e ka përmendur edhe një marrëveshje të ish-presidentit Hashim Thaçi me KFOR-in për të mos dërguar Ushtrinë e Kosovës në kufi me Serbinë.
“Mbrojtja e vijës kufitare në pjesën kufitare, është përgjegjësi e KFOR-it dhe Policisë. Në raste kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia do duhej të ishte e KFOR-it. Kjo ndër të tjera për shkak të mandatit të NATO-s dhe përgjegjësie kur është dakorduar me Thaçin, duke parandaluar shkuarjen e ushtrisë në kufi
“Jemi në pritje nga KFOR-i, që ta marrë përgjegjësinë efektive për ushtrimin e mbrojtëses, duke e urdhëruar Serbinë që t’i kthej në Kosovë policët e kidnapuar dhe ta ndëshkojë shkeljen flagrante të sovranitetit tonë por edhe të marrëveshjes së Kumanovës, dje është shkelur marrëveshja e Kumanovës e vitit 1999. KFOR-i nuk duhet të jetë i heshtur e as i përulur ndaj një sulmi kidnapues që e kishte mandat ta parandalonte, nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, dhe njëfarë nënshtrimi të heshtur, në ligj që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur dhe ashtu do e mohoj një përgjegjësi ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se shqetësimin e tij për heshtjen e KFOR-it, e ka shprehur edhe te ambasadorët e QUINT-it.
“Kur po bëhen 30 orë të kidnapimit të tre policëve edhe nuk e kemi deklaratën zyrtare shpjeguese të KFOR-it i cili ka qenë në vendin e ngjarjes unë kam shprehur edhe protestën time në këtë heshtje por edhe kërkesën për reagim urgjent”, ka thënë Kurti.
Kurti tha se në vend të ngjarjes janë gjetur prova të mjaftueshme të kidnapimit, të cilat sipas tij janë lënë me qëllim.
“Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjurmët e këpucëve, çizmeve që shkojnë në drejtim të Serbisë, të veturave pa pranga, dhe sidomos të prangave të plastikës të Forcave Serbe, pra at jo vetëm që e kanë kryer kidnapimin por kanë dashur të lënë gjurmët e këtij kidnapimi. Synimi i tyre ka qenë që të dihet se ata ishin aty në atë kohë”, ka thënë ai.