Kryeministri i Koosvës, Albin Kurti, ka shkruar llogarinë e tij në rrjetin social Facebook duke thënë se Kosova do të bëhet anëtare kuptimplotë në Bashkimin Evropian dhe Serbia nuk do të mund të pengojë.
“Kosova do të bëhet anëtare kuptimplote në Bashkimin Evropian; Serbia nuk do të mund të na pengojë. Asnjëherë”, ka shkruar Kurti.
Duke shtuar se javën që shkojë është dorëzuar kërkesa zyrtare për anëtarësim në BE, ndërkaq sot, ambasadorët e shteteve anëtare në COREPER II kanë miratuar tekstin konsensual për vendimin e Këshillit të BE-së për liberalizim të vizave për Kosovën.
“Javën që shkoi, dorëzova kërkesën zyrtare të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndërsa sot, ambasadorët e shteteve anëtare në COREPER II miratuan tekstin konsensual për vendimin e Këshillit të BE-së për liberalizim të vizave për Kosovën”, ka shtuar Kurti.
Ndër të tjera, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po e shkelë marrëveshjen e vitit 2013 duke i nxitur shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ta kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Presidenti dhe Qeveria e Serbisë, mbetën të vetmuar në kundërshtimin e aplikimit zyrtar të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE. Duke i dërguar letra shteteve anëtare të BE-së, që t’i nxisin për të kundërshtuar aplikimin tonë për anëtarësim në BE, Vučić-i po e shkel hapur dhe egërsisht marrëveshjen e tij të dashur të vitit 2013 (Marrëveshja Thaçi-Daçiq, 19 prill 2013) e cila në pikën 14 parashihte heqjen dorë nga kundërshtimi dhe pengimi i anëtarësimit të Kosovës në BE”, ka thënë Kurti, duke theksuar se në këtë marrëveshje pika që ka vlerë për të është pika 14, pasi siguron të ardhme demokratike për të dyja vendet.
“Për mua e vetmja pikë me vlerë në atë marrëveshje është pika 14, sepse vetëm ajo siguron të ardhme demokratike, liberale e paqedashëse për të dyja shtetet në BE. Pikërisht për shkak të përmbajtjes së tillë, Serbia po e shkel kaq hapur një obligim të tillë”, ka bërë të ditur Kurti.
Tutje, Kurti ka theksuar se angazhimi do të vazhdojë, gjersa, ka falënderuar zyrtarët shtetëtorë që kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë dhe përkrahin Kosovën në këtë proces.
“Procesi që filloi me dorëzimin e aplikimit zyrtar më 15 dhjetor në Pragë, në kuadër të Presidencës Çeke, do të vazhdojë me punën tonë dhe bashkëpunimin me partnerët e miqtë tanë. Një falenderim i veçantë për të gjithë zyrtarët shtetëror që ndihmuan në përgatitjen e këtij procesi dhe për zbatimin e reformave paraprake mbi të cilat e dëshmuam progresin tonë politik, ekonomik e juridik. I falenderoj të gjithë ata zyrtarë ndërkombëtar që reaguan në mbështetje të aplikimit tonë, dhe që po vazhdojnë të na mbështesin në këtë rrugëtim”, ka përfunduar Kurti.
Lajmi në përditësim…