Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova gjithmonë do të jetë adresë, shtëpi dhe krahë për shqiptarët e luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.
Kurti përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka numëruar ‘të bëmat’ e qeverisjes së tij tri-vjeçare lidhur me shqiptarët e Luginës.
“Me drejtësi, zell e shpërndarje të barabartë, dhe me trajtim vëllazëror sa edhe kombëtar, do të jemi gjithmonë adresë, shtëpi dhe krah për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka përmendur faktin se nga qeverisja e tij, Lugina ka linjën e veçantë dhe të rregullt në Buxhetin vjetor në vend.
“Me qeverinë tonë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës. Për vitin 2022 ndamë 2 milionë euro. Këtë vit të buxhetuar kemi 3 milionë euro. Vëmendja jonë dhe ndihma nuk ka munguar as para kësaj. Në qeverisjen tonë të parë, në vitin 2020, patëm ndarë gjysmë milioni euro në përballjen e tre komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19. Vitin pasues, kur Komuna e Preshevës u godit nga vërshimet, ndamë 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve”, ka shkruar Kurti.
Ai tutje ka thënë se në vitin 2022 ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar, ku përmes këtij bashkëpunimi janë mbështetur 75 projekte.
I pari i ekzekutivit ka përmendur edhe sigurimin e librave në vitin 2022 dhe 2023, kurse për studentët ka siguruar 107 bursa studimore.
“Mbështetëm përfaqësuesit e shqiptarëve në zhvillimin e vizitave në institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, me qëllim të ndërgjegjësimit ndërkombëtar në lidhje me diskriminimin shtetëror ndaj shqiptarëve, shkeljen e të drejtave të pakicave kombëtare dhe pasivizimin e adresave. Si rezultat këto çështje për herë të parë u ngritën si temë diskutimi në Senatin Amerikan”.
Kurti përmendi edhe çështjen për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe mundësinë e licensimit n 5-vjeçar të punës në institucione shëndetësore në Kosovë nga shqiptarët e luginës.
“Juristëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës që kanë leje qëndrimi në Kosovë ua mundësuam aplikimin për dhënien e provimit të jurisprudencës. Profesionistëve shëndetësorë mundësinë e licensimit 5-vjeçar të punës në institucione shëndetësore këtu në vend. Studentëve të diplomuar të mjekësisë kuota për shkollim specialistik dhe mbështetje financiare në nivel të barabartë me specializantët nga Kosova”.
“Gjithashtu, është punuar në rregullimin përfundimtar të statusit juridik të personave pa dokumente. Ministria e Punëve të Brendshme ka përpiluar dhe publikuar formularin e aplikimit për qëndrim të përhershëm në rrethana të jashtëzakonshme për qytetarët e pa dokumentuar nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në Republikën e Kosovës. Ndërkohë që Projektligji për Shtetësinë e Kosovës është në shqyrtim në Kuvend. Ai do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të përfitimit të shtetësisë së Republikës sonë edhe nga shqiptarët e Luginës”., thuhet tutje në postimin e tij.